Një tjetër sukses i rëndësishëm për talentin e ri shqiptar. 12-vjeçari nga Elbasani, Noel Baku, ka shkëlqyer në skenën e modës gjatë eventit prestigjioz VIP Fashion Week International – Tirana Edition, duke u vlerësuar me çmimin “Best International Model”.
Në një atmosferë glamuroze, ku morën pjesë dizajnerë dhe modele nga vende të ndryshme të botës, Noeli arriti të spikasë për stilin e tij të veçantë, paraqitjen skenike dhe profesionalizmin, duke marrë vlerësimin maksimal nga juria e eventit.
Ky sukses konsiderohet një hap i rëndësishëm në rrugëtimin artistik të të riut elbasanas, i cili prej kohësh po ndërton me siguri profilin e tij si model dhe kërcimtar. Pasioni, disiplina dhe prezenca e tij në skenë po e kthejnë Noel Bakun në një nga emrat premtues të brezit të ri në fushën e artit dhe modelingut.

VIP Fashion Week International – Tirana Edition synon të sjellë për herë të parë në Shqipëri një platformë prestigjioze ndërkombëtare mode, duke bashkuar dizajnerë të njohur nga e gjithë bota, si edhe talentet më të spikatura nga Shqipëria, Kosova dhe rajoni.
Eventi është pjesë e brandit global VIP Fashion Week International, i krijuar nga Albania Event Production, i cili organizon prezantime sezonale në disa prej kryeqendrave më të rëndësishme të modës në botë, përfshirë Milan, Paris dhe Dubai.

Me këtë sukses, Noel Baku jo vetëm që përfaqësoi denjësisht Elbasanin, por tregoi se talentet shqiptare po fitojnë gjithnjë e më shumë hapësirë në skenat ndërkombëtare të modës./Infoweb Media





