Elbasani në moment të vështirë para “Final 4”, Eriol Merxha: Skuadra ka forcën për të reaguar (VIDEO)

0

Elbasani humbi mundësinë në ndeshjen e fundit për të ruajtur avantazhin në krye të renditjes dhe për t’u shpallur kampione e kampionatit të rregullt, pas humbjes ndaj Tiranës, një rezultat që rezultoi vendimtar për verdheblutë.

Në kampin elbasanas, tre humbje radhazi përbëjnë një situatë të pazakontë, pasi një seri e tillë negative nuk ishte regjistruar që prej krijimit të skuadrës së re. Kjo periudhë ka nxjerrë në pah vështirësitë me të cilat po përballet ekipi, sidomos në aspektin psikologjik, në një moment kyç të sezonit.

Ish-futbollisti i Elbasanit, Eriol Merxha, është përpjekur të japë një mesazh optimizmi dhe besimi për skuadrën, duke theksuar se situata të tilla janë pjesë e futbollit dhe se çdo ekip gjatë rrugëtimit të tij kalon momente të vështira.

Merxha shprehet se kjo periudhë e vështirë nuk pritet të ndikojë në fazën “Final 4”, duke kujtuar se Elbasani tashmë ka arritur objektivin kryesor të sezonit – sigurimin e pjesëmarrjes në kompeticionet europiane.

Sa i përket garës për titullin kampion, ai e cilëson konkurrencën si mjaft të fortë, por shpreh besimin se verdheblutë kanë potencialin dhe cilësinë për të luftuar deri në fund.

Sfida e parë për Elbasanin në fazën “Final 4” do të luhet të dielën ndaj Egnatias, një përballje ku verdheblutë synojnë vetëm fitoren për të mbajtur gjallë ëndrrën për titullin kampion.