Në ditën e parë të muajit të shenjtë të Ramazani, mes kalimtarëve të rastit në Elbasan bie në sy 82-vjeçari Riza Kurti, i cili me përkushtim dhe pasion i bie daulles së tij.
Ka prej atyre që i afrohen dhe i dhurojnë ndonjë monedhë, në shenjë respekti dhe simbolike për vlerat që mbart ky muaj.
Në një bisedë me të moshuarin, mësojmë se ai i ka rënë daulles për 38 vite në dasma, ndërsa prej 15 vitesh ka vijuar traditën e lajmërimit të besimtarëve për syfyrin dhe iftarin. 82-vjeçari shprehet se daullja e ka bërë të dashur dhe të respektuar në sytë e besimtarëve myslimanë, por jo vetëm.
Sot ai i bie daulles për qejf, ndërsa përshkon rrugicat e qytetit. Thotë se kjo është ushqim për trupin dhe mendjen e tij, por edhe një mënyrë komunikimi me qytetarët. Pas emigrimit të fëmijëve, daullen e konsideron si shoqëruesen e tij më të dashur.
Gjatë muajit të Ramazanit, Riza Kurti udhëton pothuajse çdo ditë nga Shushica, ku banon, drejt Elbasanit, me veglën e tij muzikore. Edhe pse mosha e thyer nuk ia mundëson agjërimin, ai shprehet se daullja e mban të lidhur ngushtë me besimin.





