I riu suedez, Anis Fouad Hemissi, i cili akuzohet për vrasjen e 26-vjeçarit shqiptar, Flamur Beqiri, ka dalë para gjykatës.
22-vjeçari ekzekutoi me armë zjarri të riun shqiptar, i cili konsiderohej si “zot” i krimit në Suedi, pranë banesës së tij prej 1.5 milion paundësh në Londër në fund të dhjetorit të shkuar.
Hemissi u arrestua më 20 janar në Aeroportin e Kopenhagës pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa u ekstradua nga Danimarka në Mbretërinë e Bashkuar të hënën e kësaj jave.
Ai do të përballet me dy akuza, vrasjen e shqiptarit dhe posedimin të armës së zjarrit.
Prokurorja Catherine Farrelly i tha gjykatës:
I pandehuri do të përballet me dy akuza në lidhje me ngjarjet e 24 dhjetorit të vitit të kaluar. Ai fluturoi për në Mbretërinë e Bashkuar katër ditë para krimit dhe qëllimi i vetëm i udhëtimit të tij ishte ekzekutimi i të ndjerit. Ishte një krim i organizuar dhe brenda disa orësh fluturoi jashtë vendit. Ai fluturoi në Kopenhagë ndërsa u lëshua një urdhër arrestimi.
Ndërkohë, seanca gjyqësore u zhvillua online për shkak të pandemisë Covid-19, ku Hemissi u paraqit përmes një video-konference nga burgu Wormwood Scrubs në Londër.
I riu suedez konfirmoi emrin e tij në seancë dhe kërkoi që t’i sigurohej një përkthyes nga Suedia në të ardhmen.
Avokati i tij, David Harounoff, i tha gjykatës se klienti i tij do të mohojë akuzat dhe do të kërkojë pushimin e çështjes.