Basha takim online me krerët e PPE, Donald Tusk: Votoni për ndryshimin më 25 prill

0

 

Në kulmin e fushatës zgjedhore, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një bashkëbisedim me presidentin e Partisë Popullore Europiane, Donald Tusk dhe zv.presidentin e Parlamentit Europian, David Mcalister.

Në njoftimin e Partisë Demokratike thuhet se zyrtari i lartë i PPE, Tusk vlerësoi programin elektoral dhe lidershipin Basha, duke ftuar qytetarët shqiptarë që të votojnë për ndryshimin më 25 prill.

“Pas gjithë këtyre viteve të fundit është bërë shumë e qartë se Shqipëria meriton më shumë, se ajo meriton ndryshim. Shumë shqiptarë janë larguar nga vendi. Kjo është një arsye më shumë që Shqipëria duhet të anëtarësohet në Bashkimin Europian në mënyrë që të përmirësojë jetën dhe perspektivën për të gjithë qytetarët shqiptarë. Si president i familjes më të madhe të Partisë Popullore Evropiane, e cila përfaqëson sot shumë grupime parlamentare dhe parti europiane, unë jap mbështetjen time të plotë për Partinë Demokratike dhe kam besim se Lulzim Basha dhe ekipi i tij do të realizojnë integrimin e Shqipërisë në BE”, tha Tusk.

Ndërsa zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, David Mcalister pasi theksoi rëndësinë që kanë këto zgjedhje për Shqipërinë shtoi se vetëm përmes çuarjes përpara të reformave vendi mund të ecë më shpejt drejt BE.

“Ju e dini shumë mirë i dashur Lulzim Basha se sa të rëndësishme janë këto zgjedhje. Ne besojmë qe ju do të mundësoni çuarjen përpara të reformës në drejtësi, uljen e papunësinë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe natyrisht, marrëdhënie të mira me fqinjët dhe bashkëpunim rajonal. Këto aspekte janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e vendit tuaj të mrekullueshëm. Për ta finalizuar, raporti shpreh qartë citimin: Zgjedhjet e 25 prillit do të jenë jetike për konsolidimin dhe rinovimin e demokracisë shqiptare dhe arritjen e një niveli më të lartë të stabilitetit politik”, tha David McAllister.

Nga ana e tij, Lulzim Basha shprehu edhe njëherë përpara zyrtarëve të lartë se prioritetet i qeverisë shqiptare do të jetë hapja e negociatave me BE-në.

“Prioriteti ynë është të hapim rrugën e negociatave dhe ta bëjmë Shqipërinë një anëtare të plotë të Bashkimit Europian. Kjo nuk do të jetë një rrugë e lehtë, por me mbështetjen tuaj dhe mbështetjen e vendeve anëtare që janë pjesë e familjes sonë të madhe ne kemi qenë në gjendje të tregojmë se kur jemi të bashkuar në qëllim dhe jemi të përkushtuar për të ndërmarrë reforma të vërteta, kjo ka funksionuar për t’i sjellë shqiptarët më pranë Bashkimit Europian. Ndihem i bekuar, ne të gjithë jemi të bekuar me miq si ju, me ndihmën që ju keni dhënë gjatë gjithë këtyre viteve që bënë të mundur që shqiptarët të arrinin një moment historik, një ëndërr që ishte lëvizja pa viza në Europë. Sot dua të ritheksoj angazhimin tonë për të rihapur rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë”, tha mes të tjerash Basha.

Keywords: Infowebtv, Lulzim Basha, Donald Tusk, PPE, PD

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu