Ish-kryeministri Pandeli Majko, ka reaguar për herë të parë pas mos-sigurimit të një vendi në parlamentin e ardhshëm si i renditur në vendin e 19-të të listës së Partisë Socialiste.
Majko përmes një postimi në facebook, shprehet se ishte i bindur se PS do të siguronte 19 mandate në Tiranë ndaj ai nuk u fokusua tek sigurimi i votës personale.
Duke i bashkangjitur postimit të tij një foto nga fillimet e rrugëtimit politik, Majko jep sinjalin e parë të largimit nga jeta politike duke theksuar se shpreson t’i ketë dhënë mbështetësve të tij gjithçka.
Postimi i plotë: Miq, megjithëse matematika më rendit në 10 kandidaturat e votuara në qarkun e Tiranës, në zgjedhjet e 25 prillit, unë nuk do të jem deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Sistemi elektoral është ky që kemi pranuar. Përvoja më ka mësuar se duhet të jesh i gatshëm të shohësh atë që ekziston.
Isha i bindur se do ti fitonim 19 mandate në Tiranë. Ndaj fushatën për numrin tim personal 19 e kalova në plan të dytë. Edhe për këtë arsye, rezultati nuk është një përrallë që e mposht me logjikë.
Ju falenderoj që votuat për numrin 12, Partinë Socialiste!
Sic do të thoshte im atë ndjesë pastë,… “19-ta kërkon leje për tu ulur në aeroport!” Ju jam mirënjohës që më bëtë ky që jam.
Shpresoj tu kem dhënë “everything”! Mirupafshim!
Pandi Tiranë 30 Prill 2021