Ava Max është një nga artistet shqiptare më të talentuara dhe të suksesshme në botë. Artistja numëron hite të shumta teksa po kthehet në yllin e preferuar të të rinjve sidomos në TikTok ku këngët e saj bëhen menjëherë virale. Por si ka qenë jeta e saj para famës?
Ava ka rrëfyer detaje për rubrikën “How I Blew Up Up” të revistës së famshme “Uproxx”, për jetën e saj para se të nxirrte në treg hitin e famshëm “Sweet but Psycho”, i cili e bëri të njohur atë ndërkombëtarisht.
Shqiptarja ka deklaruar se ka qenë një njeri i thjeshtë si gjithë të tjerët duke u përpjekur të bëjë një punë normale në SHBA. Ajo rrëfeu se e dinte se do bëhej këngëtare dhe kjo ishte ajo që donte teksa asnjë punë tjetër nuk e bënte si duhej.
“Kështu fillova të gjej një punë të zakonshëm me orar 9:00-17:00. Pastaj nisa të pushohesha nga puna, nuk isha shumë e mirë në asnjërën prej tyre”, tregon ajo.
Më tej, këngëtarja tha se ka punuar për një kohë të shkurtër si recepsioniste, por ajo u pushua nga puna pasi ishte keq në matematikë. “Nuk isha shumë e mirë në të, sepse duhej të bëja llogaritje. Kështu që kalkulimi nuk ishte arma ime e fortë”, ka thënë ajo.
Më herët, Ava ka treguar se nëna e saj hoqi dorë nga ëndrra për t’u bërë këngëtare, por kur ajo nisi të këndonte ndjeu se në një farë mënyre bëri realitet ëndrrën e së ëmës. Artistja ka treguar se familja e saj ka sakrifikuar gjithçka për të brë realitet ëndrrën e saj dhe se janë larguar nga Shqipëria me vetëm një valixhe në dorë.