Problem mjaft shqetësues në Kosovë. Gjashtë gra shtatzëna infektohen me Covid-19 dhe përfundojnë në spital me oksigjeno-terapi, njëra në gjendje të rëndë

0

Në repartin COVID të Klinikës Gjinekologjike e Obstetrike pranë QKUK-së, janë të shtruara 16 shtatzëna, prej tyre 6 janë me oksigjenoterapi, ndërsa një shtatzënë është në gjendje të rëndë. E në këtë valë të fundit në repartin e Gjinekologjisë kanë kërkuar trajtim spitalor 87 gra shtatzëna dhe asnjëra prej tyre nuk ka qenë e vaksinuar kundër coronavirusit.

Kështu tha për KosovaPress, drejtori i Klinikës Gjinekologjike e Obstetrike, Jakup Ismajli i cili sqaroi se COVID-19 po sulmon të gjithë sistemin përfshirë atë të frymëmarrjes, zemrën, veshkat.

“Në repartin e Gjinekologjisë në repartin e dedikuar COVID, për momentin janë të hospitalizuara 16 paciente….gjendja e tyre është stabile në përjashtim të njërës e cila është në gjendje pak më të rëndë shëndetësore….po gjashtë paciente nga kjo shifër 16, janë me oksigjenoterapi… Kanë nevojë për oksigjen permanent, por me një sasi dhe dozë të oksigjenit mbahet saturimi mbi 90….Kjo sëmundje i atakon të gjitha sistemet por problemet kryesore janë respiratore, por kanë probleme edhe kartiake edhe me veshkë dhe me koagulim“, theksoi ai.

Doktor Ismajli thotë se asnjëra nga pacientet e shtruara në repartin COVID në Klinikën e Gjinekologjisë nuk janë të vaksinuara kundër coronavirusit.

Drejtori i Klinikës Gjinekologjike në QKUK shprehet se në këtë valën e fundit trajtim spitalor si pasojë e infektimit me COVID-19 kanë kërkuar 87 shtatzëna.

“Me vetë faktin që janë të hospitalizuara ato kanë edhe probleme shëndetësore janë edhe shtatzëna, një numër i madh e kanë kryer edhe procesin e lindjes, mirëpo kanë nevojë për trajtim multidiciplinar dhe për të qëndruar në repartin COVID në Klinikën e Gjinekologjisë….Në këtë valën e fundit varianti “Delta” i kemi pasur 87 paciente të hospitalizuara, prej tyre janë 28 lindje, edhe sot ka përfunduar një lindje, 7 prej tyre i kemi transferuar në Mjekim Intensiv Qendror, tjerat janë liruar për në shtëpi…Nga të gjitha këto që kanë qenë të hospitalizuara në këtë valë, asnjë nuk është e vaksinuar”, tha Ismajli.

Drejtori i Gjinekologjisë dhe Obstetrikes, Jakup Ismajli për KosovaPress, ka dhënë detaje edhe për 26 vjeçaren që vdiq dje si pasojë e infektimit me COVID-19.

Ai thotë se kjo paciente ka ardhur në gjendje të rëndë nga Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit, kishte përfunduar procesin e lindjes dhe më pas ishte transferuar në Mjekimin Intensiv Qendror.

“Ajo ka ardhur nga Gjilani, ka ardhur te ne drejt nga zyra e pranimit, është dërguar në sallë të lindjes, ka përfunduar lindja me prerje cezariane dhe menjëherë është transferuar në Mjekim Intensiv Qendror dhe kjo lë të nënkuptojmë se ka ardhur në gjendje të rëndë, është dashur trajtim në Mjekimin Intensiv Qendror…..Edhe bebja e saj ka lindur në gjendje të rëndë duke e ditur se ka ardhur nga Gjilani”, u shpreh ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu