“220 km rrugë për të marrë një firmë”, deputeti i Tropojës: Mos e shkrini gjykatën!

0

TROPOJË – Deputeti i Partisë Demokratike në Tropojë Isuf Çelaj reagoi i indinjuar për shkrirjen e gjykatës së këtij qyteti si pasojë e vendimit të qeverisë që do të krijiojë një gjykatë qendrore në Tiranë.

Përfaqësuesi i Qarkut të Kukësit në Parlament shprehet në profilin e tij në “Facebook” se “qyteti po izolohet qëllimisht nga drejtësia”. Ai i kërkon ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja të kuptojë se një banori tropojan i duhen 220 km udhëtim vajtje-ardhje për të marrë qoftë dhe një firmë në kryeqytet. Ai i kërkoi grupit të punës që do të përcaktojë hartën e re gjyqësore të provojnë rrugën e mundishme të Tropojës.

Çelaj i bën apel qeverisë që të mos rëndojë qytetin e varfër të Tropojës.

Postimi i Isuf Çelajt:

Tropoja rrezikon të izolohet edhe nga drejtësia.
Siç e kam theksuar në fjalën time në seancën plenare të datës 14 tetor, ndjej sërish detyrimin në emër të banorëve të Tropojës që të ngre përsëri shqetësimin e madh për shkrirjen e Gjykatës së Tropojës, çka do të sjellë një ndëshkim për banorët e Tropojës.
Në emër të qytetarëve dua ti bëj thirrje ministrit të drejtësisë, Ulsi Manja, duke qenë se është nga veriu dhe e di fort mirë se çfarë do të thotë për një banor të varfër të Tropojës të udhëtojë 110 kilometra vajtje e po kaq në kthim vetëm e vetëm për një firmë apo për një çeshtje të thjeshtë gjyqësore, meqë ministrja e mëparshme e drejtësisë as e kishte haberin dhe as e mori ndonjëherë mundimin që të mendojë njëmijë e një hallet që krijon mungesa e drejtësisë në Tropojë: Mos ia bëni këtë tropojanëve. Mos e izoloni këtë trevë që vuan kushtet më të rënda ekonomike dhe sociale.
Një apel e kam edhe për grupin e punës që po merret me hartën e re gjyqësore, që para se ti vënë kyçin derës së drejtësisë në Tropojë, të marrin mundimin e ta bëjnë njëherë atë rrugë e të kuptojnë se çfarë kosotoje sjell transferimi i Gjykatës nga B.Curri në Kukës.
Banorët e Tropojës nuk duan që të mbyllet institucioni i vetëm i drejtësisë, ndaj dhe unë në emër të tyre iu bëj thirrje sa ende jemi në kohë: Mos e ndëshkoni Tropojën! Mos ia shtoni hallet tropojanëve të varfër e të izoluar nga mungesa e vëmendjes së shtetit e pushtetit gjygjësor. Mos ia mbyllni derën e vetme ku mund të marrin drejtësi. Gjykata e Tropojës jo vetëm që nuk duhet mbyllur, por përkundrazi ajo duhet të rikonstruktohet e të investohet në paisje e mjete të punës si dhe me burime njerëzore të kualifikuara e të vihet në shërbim të njerëzve që kanë kaq shumë nevojë që të marrin të drejtën e tyre pa kostot e shumta që krijon transferimi në Kukës i saj.
Mos e vrisni shpresën për drejtësi të këtyre qytetarëve.
Tropoja do drejtësi dhe jo ndëshkim me mungesë të drejtësisë dhe institucionit të saj!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu