Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Golem të Lushnjes.
Djali A.S., 13 vjeç ka vdekur në banesë pasi ishte vetëvarur në litar.
Gjithçka u zbulua sot në orën 17.30 në banesën e fëmijës.
Prindërit e të voglit, e dinin se djali ishte në dhomën e tij. Në 17.30 ata shkuan te dhoma për ta parë se çfarë po bënte. I thirrën, por nuk u përgjigj.
Tentuan të hapin derën, por ajo ishte e mbyllur. Më pas u futën nga dritarja pasi panë se vogëlushi ishte varur me një litar në mes të dhomës.
Me të shpejtë i hoqën lakun nga fyti dhe e futën në një makinë duke e çuar në Urgjencën e spitalit Lushnjë me shpresën që ta mbajnë në jetë. Por mjekët vetëm sa konstatuan se fëmija kishte vdekur që në banesë.
Është e paqartë përse i mituri kreu vetëvrasje dhe nuk ka të dhëna që ai të ketë lënë ndonjë shënim për këtë akt të dhimbshëm.
Policia tha zyrtarisht se “sot rreth orës 18:00, në spitalin e Lushnjës është sjellë nga prindërit pa shënja jete, djali i tyre 13-vjeçar, banues në fshatin Golem, i cili dyshohet se është vetëvarur në banesë”.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të saj.