Platforma Infowebtv vlerësohet nga Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë dhe nga dega Elbasan me certifikatën me motivacionin; “Për paanshmëri, profesionalizëm e koherencë në emetimet informative, dhe audiovizive rajonale e më gjërë’.
Certifikata iu dorëzua Drejtoreshës së Infowebtv, Anisa Bahiti, e cila në fjalën saj ka shprehur falenderim për vlerësimin e bërë.
‘Është shumë vlerësim i bukur. Ndjehem shumë e nderuar që ndodhem në një ambient me njerëz që kam vite që më njohin dhe i njoh dhe e di se sa e vështirë është të punosh në media. Keni një përgjegjshmëri të madhe, jo vetëm për të punuar me profesionalizëm, por edhe për të thënë të vërtetën, për të qenë gjithmonë të paanshëm e të guximshëm ashtu si ju jeni. Sepse të punosh në një media nuk është thjesht të jesh gazetar, të shkruash apo të raportosh në terren, por është një sfidë më vete. Dhe njerëzit që përballojnë sfidat janë gjithmonë të fortë dhe dinë ti bëjnë ballë situatave. Faleminderit për këtë certifikatë të cilën unë ia dedikoj stafit tim. Njerëzit që kanë punuar me mua dhe cilido që e ka përkrahur idenë e të sjellurit e një risie në qarkun e Elbasanit, por jo vetëm. Viti 2022 do jetë viti i surprizave. Faleminderit me zemër dhe gëzuar’, u shpreh drejtoresha Bahiti!
Platforma mediatike Infowebtv lindi si e tillë gjatë këtij viti dhe në një hark kohor mjaft të shkurtër, ka sjellë një model të ri të realitetit mediatik në Shqipëri, atë të televizionit online duke qenë kështu në koherencë me zhvillimin e teknologjisë dhe internetit.
Kjo platformë renditet ndër 50 më të mirat në vend sipas matësit botëror të audiencës në internet Alexa.com.
Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast ishin të pranishëm Kryetari i Unionit të Gazetarëve të Shqipërië Aleksandër Çipa, analistë, gazetarë etj. I pranishëm ishte edhe kryetari i bashkisë së Cërrikut, Andi Salla, i cili mundësoi zhvillimin e këtij aktiviteti.
Të pranishmit bënë përshëndetjet e rastit.