Sot në mjediset e Torelli Lounge Klubi i Krijuesve Elbasanas zhvilloi një aktivitet me natyrë letraro-argëtues në fokus të të cilit ishin fëmijët, në veçanti ata me status jetim. Në aktivitet morën pjesë rreth 20 fëmijë, poetë, shkrimtarë, përkthyes e studiues të letërsisë, në organizimin e kryesisë së Klubit dhe kryetares, znj. Elena Xhina.
Fëmijët kaluan një kohë argëtuese, morën dhurata cilësore dhe disa libra të dhuruara nga poetët Behauddin Gashi dhe At Stavri Çipi. Aktiviteti u mundësua financiarisht me kontributin e vetë krijuesve.
Edhe pse Klubi ende nuk është krijuar de juro dhe është në hapat e para të veprimtarisë së tij, kjo nuk i ka penguar anëtarët të organizojnë një aktivitet me atë pjesë të shoqërisë që i gëzohet më shumë festave dhe që meriton më shumë vëmendje.
Ky aktivitet, edhe pse atipik për një klub krijuesish, bashkon në fakt ata që konsiderohen qeniet më të bukura, fëmijët dhe krijuesit, bashkon qeniet me ndjesi e ndjenja të kristalta, qeniet që e ngjizin udhëtimin e tyre me anë të imagjinatës, bashkon qenie të brishta, plot ndjeshmëri e aftësi krijuese, bashkon ata pa të cilët jeta s’ka kuptim, fëmijët dhe artistët.
ʺPërpara se të jemi profesionistë, jemi njerëz.ʺ- u shpreh për aktivitetin znj. Bardha Alimeta. Ndërsa sipas shkrimtares Klodiana Sinani ʺÇdo gjë që lumturon një fëmijë është një vepër arti.“
Festat në përgjithësi i bëjnë njerëzit më të dhembshur, më dashamirës, më solidarë, aq më tepër krijuesit.
Shkroi për infowebtv Marsela Neni