Forcat Speciale RENEA, kanë zbarkuar pasditen e kësaj të marte në zonën në afërsi të fshatit Papër në Elbasan, në vendin ku u bë atentat ndaj një mjeti në lëvizje. Siç ka raportuar më herët InfowebTv, një BMW X5 është bërë “shosh” nga plumbat, ndërsa shoferi dhe personat që ndodheshin e kanë braktisur.
Ka dyshime të forta se në mjet ndodhej i shumëkërkuari Talo Çela. Në kryqëzimin e Peqinit janë bërë disa atentat të ngjashme dhe në bazë të provave paraprake, Policia ka krijuar dyshime se në makinën e zezë ndodhej personi që ata kërkojnë prej vitesh, Talo Çela. Brenda mjetit luksoz është gjetur një bidon 5 litra me benzinë dhe një kallashnikov.
Në rrugë janë gjetur gëzhoja armësh dhe xhama të thyer, ndërkohë nuk dihet se kujt i përket ky mjet sepse targat janë të vjedhura. Edhe Policia e Elbasanit konfirmon se targat e mjetit BMW rezultojnë të vjedhura në Durrës. Ato i përkasin një mjeti “Opel”.
Nga pamjet shihet se Forcat Speciale janë thirrur në ndihmë të shërbimeve të Policisë së Elbasanit dhe menjëherë sapo kanë marrë udhëzimet, kanë nisur krehjen e zonës në këmbë. Dyshohet se po në këmbë janë larguar dhe personat që ndodheshin në BMW, kurse mjeti tjetër që ka hapur zjarr është larguar në drejtim të paditur.