Policia e Tiranës ka bërë publik bilancin e punës së javës që lamë pas. Me anë të një njoftimi të shpërndarë për mediat, Policia thotë se ka arrestuar 33 persona pasi janë konstatuar duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi. Gjatë kontrolleve janë pezulluar po ashtu 250 patenta, si dhe janë goditur raste, ku persona të ndryshëm kanë tentuar të korruptojnë uniformat blu.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë kontrollet e shtuara në të gjitha akset rrugore, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore si dhe për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, në kryeqytet.
Gjatë javës që lamë pas, Policia Rrugore e Tiranës goditi 10 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e masave administrative për shkeljet e kryera.
33 shtetas janë arrestuar dhe proceduar për drejtim automjeti, në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. 250 leje drejtimi janë pezulluar, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.