ARABIA SAUDITE – Cristiano Ronaldo flitet se e ka gjetur ekipin e tij të ardhshëm. Kampioni portugez, pasi përfundoi në mënyrë të sikletshme aventurën e tij të dytë me Manchester United, thuhet se është një hap larg nënshkrimit me Al Nassr për të luajtur në Arabinë Saudite. Sipas raportimeve nga spanjollja “Marca” për CR7, sauditët do të ishin gati të derdhnin rreth 200 milionë euro për dy vitet e gjysmë, duke përfshirë edhe marrëveshjet e pagave dhe reklamave.
Nëse do të ishte kështu, Ronaldo do të hiqte dorë nga përfundimi i karrierës së tij me një klub të lartë europian, duke lënë mënjanë ambiciet e tij sportive dhe shpresën për të luajtur sërish në Champions League. Megjithatë, oferta arabe është e pakrahasueshme me asnjë klub të Kontinentit të Vjetër dhe gjithashtu të MLS-së. Në këtë pikë duket se e ardhmja e tij është në Arabi, ku do të pritet nga ish-trajneri i Romës, Rudi Garcia.