“Të ecim përpara me projektet e mëdha që kemi nisur“. Kështu ju tha Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja banorëve të fshatit Kusarth në Njësinë Administrative Bradashesh teksa foli mbi investimet e realizuara dhe ato që priten në 4 vitet e ardhshme.
Kryebashkiaku Llatja deklaroi se PS ka treguar se ka qenë pranë qytetarëve në çdo sfidë që vendi ka kaluar. “Ne kërkojmë mbështetjen tuaj për katër vitet e ardhshme. Kemi qenë për katër vite bashkë në të mirë e në të keq, në problematika, në tërmet, në pandemi, në administrim, në zgjidhje hallesh. Bashkë i kemi qarë, bashkë i kemi rregulluar dhe duam t’i vazhdojmë edhe këtë 4-vjeçar. Duam ndihmën tuaj dhe mbështetjen tuaj për të ecur dhe katër vite bashkë që bashkë me Partinë Socialiste të bëjmë punë të mira për të gjitha komunitetet. Bashkë me kryeministrin po zhvillojmë të gjitha projektet e mëdha dhe prandaj po lëvizim në të gjitha aspektet. Kërkojmë një suport nga të gjithë që projektet tona madhore, ato të qeverisë shqiptare, që ne t’i çojmë përpara bashkërisht. Në pushtetin vendor ne dhe kryeministrin Rama përpara të ecim me projektet e mëdha që kemi nisur”, – tha ai.
Kreu i Bashkisë u shpreh se Elbasani ka njohur një sërë investimesh të rëndësishme që kanë përmirësuar jetën e qytetarëve. Ai tha se Bashkia ka ndërmarrë një sërë reformash dhe politikash sociale, për t’u ardhur në ndihmë shtresave në nevojë. “Ne po punojmë gjithandej. Ne nuk po merremi vetëm një çështje, nuk po merremi vetëm me rrugët, nuk po merremi vetëm me kanalizimet, nuk po merremi vetëm me turizmin, ne po merremi me të gjitha aspektet. Kemi rritur të ardhurat tona me një taksim të drejtë. Sa herë kemi ardhur këtu kemi folur dhe me njëri – tjetrin edhe në Bradashesh për paketat fiskale. Ishte problemi juaj kryesor që thoshit: Ore kryetar pse na taksohen ne fëmijët në Greqi, për emigrantët, po më vijnë taksat për çunin apo për gocën që janë në emigracion. Ju dëgjuam ju dhe ne e kemi hequr atë tarifë. Kemi ulur me 30% taksën e ndërtesës. Janë përjashtuar familjet që janë me ndihmë ekonomike, pensionistët e vetmuar dhe ato persona që nuk janë mirë ekonomikisht. Po vazhdojmë me të gjithë këto masa fiskale lehtësuese që kemi marrë për banorët. Kemi rritur të ardhurat dhe po vazhdojmë nga të gjitha anët investimet“, – tha Llatja.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit komentoi dhe alternativën përballë. Ai tha se opozita kërkon të marrë peng të ardhmen e Elbasanit dhe të Shqipërisë për hallin e dyshes Berisha-Meta. “Ato nuk kanë bërë ndonjëherë ndonjë gjë për qytetin. Ato kanë pasur vetëm fjalë. Gjithë jetën e vet kanë bërë vetëm fjalë. Ne do presim apo ti hedhim sytë nga ata? Po si mund t’i hedhësh sytë nga ata? Ata nuk duan veten e vet. Do jetë shumë naiv kushdo në Elbasan që të mendojë se këto që premtojnë, dalin poshtë e lart e flasin e bëjnë, kanë hallin e Elbasanit apo zhvillimit ekonomik. Ato kanë vetëm një hall, hallin e Sali Berishës dhe Ilir Metës që thonë hajde tani marrim peng Shqipërinë. Po pse për këtë kemi nevojë ne? Ne duam qëndrueshmërinë, ne duam të vazhdojmë punën, ne duam zhvillimin. Pse do rrimë t’i hyjmë ne halleve tani? Hallet i kanë ata”, – deklaroi kryebashkiaku Llatja.