Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me Kryebashkiakun e Elbasanit Gledian Llatja uruan festën e Fiter Bajramit të gjithë besimtarëve myslimanë kudo ku ata janë. Në një prononcim për mediat, Gjiknuri tha se kjo është një ditë e begatë për te gjithë.
“Unë dua të përfitoj nga kjo ditë feste dhe e shënuar, t’u uroj të gjithëve besimtarëve, por dhe gjithë shqiptarëve kudo ku ata janë, gëzuar Bajramin, zoti i bekoftë dhe shqiptarët paçin ditë më të mira, me energji pozitive dhe me gjithçka të bukur jo vetëm në këtë qytet, por në të gjithë vendin tonë kudo që ndodhen”, theksoi Gjiknuri.
I pyetur nga mediat për fushatën zgjedhore, numri dy i socialistëve uroi që Elbasani të ketë zgjedhje të qeta dhe të gjithëpranuara.
“Fushata po ecën si kjo ditë e bukur dielli dhe unë do t’i uroja qyteti Elbasanit dhe Bashkia e Elbasanit të ketë zgjedhje të qeta, zgjedhje të gjithë pranuara, zgjedhje që reflektojnë nivelin e qytetarisë së Elbasanit. Pavarësisht se palët kanë divergjenca dhe filozofitë e ndryshme politike, e rëndësishme është të respektojmë njëri-tjetrin, të kemi paqe dhe Elbasanit në këto zgjedhje t’i hiqet stigma e krimit”, deklaroi Gjiknuri.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit deklaroi se ky ka qenë një muaj i bekuar për qytetin, ku bashkëjetesa fetare është vlerësuar gjithmonë.
“Ka qenë një muaj sakrifice për të gjithë besimtarët myslimanë. Dua t’ju uroj gëzuar Bajramin, qoftë e pranuar sakrifica e tyre. Gjithë ky muaj ka qenë muaj I bekuar se kanë qenë shumë festa. Ne në Elbasan festojmë dhe kemi një bashkëjetesë fetare shumë të mirë dhe të vlerësuar nga të gjithë. Vit i mbarë për të gjithë dhe uroj që dhe vazhdimi të jetë I mbarë! Jemi besimplotë për këtë”, theksoi Llatja.