Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri dhe Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja zhvilluan një bashkëbisedim me të rinj dhe të reja nga Elbasani që studiojnë në Tiranë.
Numri dy i PS Gjiknuri u shpreh se Gledian Llatja përfaqëson brezin e ri dhe dhe jo të vjetrën si alternativa përballë.
“Ka një model që ju duhet të votoni, duhet të votoni të riun që është më afër jush. Modelet kemi përballë, përfaqësojnë të vjetrën, si ata të Tiranës, edhe ky që është këtu. Kështu që e keni djalë të ri, njeri që e ka treguar veten, ka ditur të themelojë një dialog me ju, një bashkëbisedim, ka projekte konkrete për të rinjtë. Mendoj që vota juaj duhet të shkojë te ai që është më afër jush, ua kupton ndjesitë tuaja dhe përfaqëson më mirë ‘vibe-n’ e Elbasasnit që i përket brezit tuaj. Në fakt Gledi e ka bërë këtë”, shtoi Gjiknuri.
Drejtuesi politik i PS për qarkun u kërkoi të rinjve t’i besojnë ekipeve dhe jo një individi të vetëm. “Një gjë do ua them: Gledi nuk është vetëm në këtë rrugë. Gledi nuk është thjesht një kandidat për kryetar bashkie apo kryetar bashkie që ka fituar një garë personale dhe është aty. Gledi ka mbrapa qeverinë shqiptare, ka kryeministrin, na ka gjithë ne të tjerëve. Do të thotë që ai ka një ekip dhe ka një garanci që ato që thotë me mbështetjen e qeverisë, bëhen realitet” nënvizoi Gjiknuri.
Më tej Gjiknuri shtoi se e ardhmja e Elbasanit tashmë është në rrugë të sigurt me PS dhe me Gledin kryetar bashkie.
“Elbasani në perspektivë ka një të ardhme shumë të mirë. Ua kam thënë që gjeografia është destinacion sepse ju jeni afër kryeqytetit, afër portit kryesor, lidhje hekurudhore dhe nga kjo Elbasani mund të ofrojë një portofol shumë interesant. Elbasani i ka të gjitha shancet të jetë klasteri më i rëndësishëm i prodhimit në Shqipëri. Elbasani kapotencialin më të madh për t’u zhvilluar dhe ju do të bëheni pjesë e kësaj historie jam shumë i bindur. Shumë të rinj dhe të reja vërtet shkojnë në Tiranë, mund të shkojnë dhe jashtë, por jam i bindur që do të kthehen dhe do kontribuojnë për qytetin”, tha Gjiknuri.
Kryetari i Bashkisë Gledian Llatha falenderpi të rinjtë dhe të rejat për mbështetjen e vazhdueshme, por mbi të gjitha idetë inovatore, disa prej të cilave janë konkretizuar dhe të tjerat që do të marrin jetë në mandatin e dytë. “Kemi katër vite që ne bashkëpunojmë me njëri -tjetrin, bëjmë punë të mira për qyteti, vazhdojmë me planet tona, forcojmë Këshillin Rinor, bëjmë Qendrën Rinore. Do të bëjmë Qendrën e Teknologjisë dhe Informacionit në bashkëpunim edhe me Universitetin e Elbasanit tek ish-kirurgjia, do të vazhdojmë të restaurojmë shkollat, kopshtet, çerdhet, terrenet sportive, do të vazhdojmë mbështetjen për sportin jo vetëm për futbollin, basketbollin, por edhe për sportet e tjera të gjitha do të vazhdojmë t’i mbështesim. Do të vazhdojmë, do t’i japim një spunto Start Up – eve këtë vit, këtë mandat të ri. Më mirë se sa ju nuk e kupton njeri dashurinë që ne kemi për Elbasanin”, vuri në dukje Llatja.
Kreu i Bashkisë u kërkoi të rinjve të qëndrojnë në Elbasan dhe ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, pasi mundësitë po shtohen çdo ditë e më shumë. Ai u shpreh i keqardhur nga politika e vjetër që nuk vlerëson Elbasanin.
“Kur shoh ato të tjerët që kam përballë që janë pjesa e vjetër e politikës, që kanë nga 20 vjet që rrotullohen, sorollaten, po me të njejtët njerëz, po me të njëjtat llafe, po me të njëjtat sharje, po me të njëjtat ofendime, kur shoh ato që flasin për qytetin gjatë të gjithë kohës me një neveri të shpifur, nuk e di, më vjen keq që ekziston akoma një brez i tillë politikanësh. Nga mëngjesi deri në darkë nuk bëjnë asnjë punë tjetër, dhe nuk kanë bërë asnjëherë në jetën e vet asnjë punë tjetër, por vetëm shajnë nga mëngjesi deri në darkë. Më fal, por kur do të vijë koha të bëjnë një punë ato? Mundësitë po i japim, Elbasani ka një sërë mundësish sot që nuk i kishte para katër vitesh. Kjo është ajo që ne duam, duam që ju të keni një të ardhme të sigurtë në Elbasan” shtoi Llatja.
Nga ana e tyre të rinjtë shprehën vlerësimin ndaj kryetarit Llatja i cili, jo vetëm i ka bërë pjesë të vendimmarrjes për vite me radhë, por tashmë u dha edhe një përgjegjësi më shumë duke i përfshirë në listën e Këshillit Bashkiak për të qenë zëri i bashkëmoshatarëve të tyre.