27 qershori përkujton gjenocidin grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë.Popullsia çame për disa dekada u përndoq dhe masakrua, me masakra të cilat filluan që pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë e deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.Nga qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë të Çamërisë përjetuan një gjenocid të ashpër nga forcat greke nën komandën e Napoleon Zervës, që rezultoi me vdekjen masive të civilëve, por edhe me shkatërrimin, grabitjen dhe konfiskimin e pronave të tyre, ndërkohë që sot ende kjo plagë është e hapur. Vetë shqiptarët e Çamërisë që kanë përjetuar gjenocidin, ende në ditët e sotme i kanë të freskëta masakrat, të cilat sipas tyre nuk kursyen as fëmijët dhe as gratë shtatzëna. Osman Dauti ndonëse lindur dhe rritur në Elbasan me krenari thotë se është “Shqiptar i Çamërisë”. Me veshjen simbolike të trevës së Çamërisë kryen nderime në monumentin “Klithma” në qendër të qytetit në përkujtim të 79-të vjetorit të masakrës së Çamërisë. 74 vjecari në këtë ditë simbolike jeton me kujtimet e hidhura të të parëve të tij, ku në ndihmë i vijnë me dhjetëra foto të cilat ai i ka arkivuar ndër vite në mënyra të ndryshme.
Shqiptarët e Çamërisë pas gjenocidit u vendosën në qytete të ndryshme të Shqipërisë.Persekutimi ndaj shqiptarëve të Çamërisë nuk përfundoi me gjenocidin gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi edhe gjatë regjimit komunist në Shqipëri pjesëtarët e këtij komuniteti u përndoqën dhe u dënuan për motive të ndryshme, përfshirë edhe ato politike.
Shqiptari i Çamërisë tregon për vështirësitë e familjes së tij pas shpërnguljes së tyre në Elbasan.Aq sa babai i tij ndonëse me zanat , përfundoi si fshesaxhi vetëm për të ushqyer familjen me bukë.
Vendlindja Çamëria vijon të jetë “mollë e ndaluar” për pjestarët e komunitetit cam. Por 74-vjecari thotë se para disa vitesh në mënyrë ilegale ka vizituar vendin e të parëve të tij, në një natë dimri. I përlotur Dauti flet për ndjesitë e atij momenti dhe amanetin që mori nga atje.
Sikur të mos mjaftonte krahërori i përvëluar për Çamërinë, Osman Dauti ndan me ne momentet e vështira të përsekutimit të tij nga regjimi komunist, i cili e internoi në lule të rinisë ,vetëm se ai ishte një shpirt i lirë që nuk mund të mbyllej në kafaz.
Në përfundim 74-vjecari përcjell mesazhin e tij për shtetin shqiptar dhe të gjithë shqiptarët e Çamërisë.
Edhe pse kanë kaluar dekada nga masakrat ndaj popullsisë çame, tragjedia çame është ende një plagë e hapur, pasi pjesëtarët e këtij komuniteti nuk mund të kthehen në tokat e paraardhësve të tyre, madje shumë prej tyre nuk kanë varr për të kujtuar të afërmit e tyre.
Infoweb Media/ Entela Duka