Sot nisi shpërndarja e teksteve shkollore në të gjithë vendin. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, tha se përfitues të teksteve falas janë të gjithë nxënësit e sistemit 9-vjeçar.
“Siç e dini në të gjithë vendin fillon shpërndarja e teksteve për nxënësit e arsimit parauniversitar. Do të përfitojnë tekste falas të gjithë nxënësit e arsimit bazë nga klasa e parë deri në klasën e 9-të. Por edhe 16 kategori në nevojë, të veçanta, në arsimin e mesëm. Ato janë që nga statusi i jetimit, me vështirësi ekonomike në familje, nxënësit me aftësi të kufizuara, komuniteti rom dhe egjiptian, etj.”, tha ministrja Kushi.
Kushi tha se këtë vit vijnë një sërë risish në arsimin parauniversitar.
“Risia këtë vit është se të gjithë nxënësit nga klasa e parë në të tretë, tekstet do të jenë falas me vetëm një përdorim që do të thotë se nxënësit nuk e kanë detyrimin që në fund të vitit shkollor t’i dorëzojnë tekstet. Për shkak të moshës së vogël dhe vështirësisë që kanë për t’u kujdesur mirë për librin, por se shumë tekste janë me shënime dhe kjo bëhet e vështirë që nxënësit e brezit tjetër t’i përdorin” – nënvizoi ministrja.
Në total janë 242 mijë nxënës që përfitojnë, por procesi i regjistrimeve ende vazhdon pasi në datën 11 shtator fillon viti i ri shkollor. Ndërkohë që deri tani janë 71 mijë janë nxënës nga klasa e parë në të tretën që i përfitojnë falas me një përdorim librat shkollorë.