Avokati, Detar Hysi, që ka mbrojtur interesat e Laert Haxhiut, një nga personazhet më të përfolur javët e fundit, për shkak të akuzave të shumta që rëndojnë mbi të, ka dhënë dorëheqjen për përfaqësimin e tij.
Nuk dihen shkaqet dhe arsyet përse Hysi nuk do jetë më përfaqësues ligjor i Laert Haxhiut, ndaj të cilit këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme, pritet të mbahet seanca për masakrën e Lushnjes, me dy të vrarë e dy të plagosur, ngjarje për të cilën 33-vjeçari akuzohet si organizori kryesor i saj.
Laert Hxhiu, referuar dëshmisë së Artan Tafanit, pjesë e grupit të tij, tashmë i penduar i drejtësisë ka përgatitur plan për të eleminuar edhe njerëzit që kanë hetuar atë.
Referuar dosjes hetimore, Haxhiu ka planifikuar vrasjen e prokurorës së SPAK Doleorez Musabelli dhe atë të Lushnjes.
Laert Haxhiu, altualisht është i arrestuar në Greqi në pritje të vendimit të gjykatës për ekstradimin e tij drejt vendit tonë.
Ai rezulton i dënuar me 18 vite burg për atentatin ndaj Xhulio Shkurtit tek komisariati i policisë në Lushnje në vitin 2016.
Ndërkohë është duke u gjykuar në SPAK për vrasjen Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, në vitin 2017. Edhe në këtë ngjarje shënjestër ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Barës.