Dy vëllezër janë shpallur në kërkim dhe dy të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë pas sherrit me sende të forta. Policia sqaron se vëllezërit nga dy familje të ndryshme, u përleshën në fshatin Sheq i Madh.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, menjëherë pas kallëzimeve të marra për një konflikt për motive të dobëta, ndërmjet disa shtetasve, në lagjen “Sheq i Madh”, kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për sqarimin e rrethanave të konfliktit dhe për përcaktimin e përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të përfshirë në të. Në përfundim të këtyre veprimeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 shtetas të përfshirë në konflikt, S. P., 20 vjeç dhe K. P., 22 vjeç (vëllezër), për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.
Gjithashtu, po punohet intensivisht për kapjen e 2 shtetasve të tjerë të përfshirë në konflikt, J. H., 20 vjeç dhe K. H., 22 vjeç (vëllezër), për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Kanosja”, pasi dyshohet se kanë kanosur me jetë shtetasit S. P. dhe K. P. Ndërkaq, në drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë hetimet për të zbardhur dhe dokumentuar ligjërisht rrethanat e këtij konflikti”, sqaroi policia.