Në Qarkun e Elbasanit, akset rrugore nacionale dhe rurale janë të hapura dhe pa probleme për qarkullimin e mjeteve këtë javë. Nga ana e firmave kontraktuese, është realizuar pastrimi i borës dhe kriposja në zonat e prekura nga debora dhe ngricat.
Në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë, temperaturat kanë arritur deri në -6°C dhe që nga orët e para të mëngjesit janë përdorur borëpastruese dhe kripe për të siguruar kalueshmërinë.
Po ashtu, në aksin rrugor Librazhd-Stebleve, qarkullimi është i mundur vetëm me zinxhirë dhe goma dimërore nga Borova deri në Stebleve, ndërsa në pjesët e tjera të aksit, qarkullimi është normal. Edhe akset e tjera janë të hapura dhe përveç pikave të problematike, ku është hedhur kripë, nuk ka vështirësi në qarkullim.
Punimet për hapjen e rrugëve rurale që lidhin fshatrat me njësitë administrative vijojnë në disa bashki. Në Elbasan, po punohet për hapjen e akseve Elbasan-Labinot Mal dhe Elbasan-Funare.
Ndërkohë, nuk raportohet për probleme me prurjet e lumenjve dhe përrenjve, të cilët janë në kuotat e tyre normale.
Një problem që vazhdon të mbetet është mungesa e energjisë elektrike në disa fshatra, përfshirë Njësinë Administrative Polis në bashkinë Librazhd, Njësinë Administrative Bishqem në bashkinë Peqin, Njësinë Administrative Funar në bashkinë Elbasan, si dhe dy kabina në Prrenjas dhe Gramsh. Punonjësit e OSHE-së janë angazhuar për riparimin e defekteve.