Blendi Himçi jep dorëheqjen për të garuar në Primaret e PD-së në Elbasan

0

Blendi Himçi, një nga figurat kryesore të Partisë Demokratike në Elbasan, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të degës lokale të PD-së, për t’u përfshirë në garën e Primareve për kandidaturën e deputetit në zgjedhjet e 11 majit 2025.

Në një deklaratë drejtuar anëtarëve dhe simpatizantëve të PD-së, Himçi theksoi angazhimin e tij trevjeçar në drejtimin e degës së PD Elbasan, një periudhë sfidash të mëdha për partinë dhe për skenën politike në përgjithësi. Ai vlerësoi mbështetjen dhe besimin e demokratëve elbasanas, duke shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre në betejat politike të viteve të fundit.

“Besimi që më keni dhënë ka qenë një përgjegjësi e madhe për mua dhe jam përpjekur të jem gjithmonë në krye të sfidave, me qëllimin e vetëm: forcimin dhe bashkimin e Partisë Demokratike në Elbasan”, u shpreh Himçi në deklaratën e tij.

Dorëheqja e tij vjen në respekt të udhëzimeve të kryesisë së PD-së, sipas të cilave drejtuesit e degëve që synojnë të kandidojnë në Primare duhet të lënë detyrën ekzekutive për të garantuar një garë të ndershme dhe të barabartë.

Blendi Himçi nënvizoi se kandidatura e tij nuk është thjesht një aspiratë personale, por një mision dhe një detyrim moral ndaj qytetit të Elbasanit dhe demokratëve që kërkojnë një përfaqësim dinjitoz në Parlament. “Një Elbasan më i mirë për fëmijët tanë, për qytetarët e tij, për një të ardhme më të sigurt është vizioni im i qartë”, shtoi ai.

Në përmbyllje të deklaratës, ai bëri thirrje për mbështetje në Primare, duke theksuar se qëllimi i tij është të jetë një zë i fortë në Parlament për Elbasanin dhe për fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme.

Kjo lëvizje e Himçit pritet të ndikojë ndjeshëm në dinamikën e garës së brendshme në PD Elbasan, ndërsa procesi i Primareve shihet si një mundësi për të rikthyer besimin e demokratëve dhe për të forcuar pozitat e partisë në këtë qark.