Elbasan/ Finalizohet operacioni “Organizatori”, goditet grupi kriminal që trafikonte armë dhe falsifikonte dokumente

0
Elbasan – Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Organizatori”, duke çmontuar një rrjet kriminal të përfshirë në trafikimin e armëve dhe falsifikimin e dokumenteve.
Si rezultat i hetimeve katërmujore dhe përdorimit të metodave speciale, u arrestuan tre shtetas:
•Dhimitër Peqini, 59 vjeç, banues në Elbasan, organizator i dy veprimtarive kriminale.
•Elban Coniku, 52 vjeç, banues në Gramsh, bashkëpunëtor në trafikimin e armëve.
•Artan Lila, 47 vjeç, banues në Elbasan, i përfshirë në falsifikimin e dokumenteve.
Gjatë operacionit, i cili u zhvillua në fshatin Çekin, Gramsh, Policia ndaloi automjetet e drejtuara nga Dhimitër Peqini dhe Elban Coniku. Nga kontrollet në bagazhet e mjeteve u sekuestruan:
•3 armë zjarri kallashnikovë
•3320 fishekë luftarak
•1 granatë defensive
Nga hetimet rezulton se këto armë dhe municione do të trafikoheshin drejt Maqedonisë së Veriut.
Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e Artan Lilës në Elbasan, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 20 dokumente të dyshuara të falsifikuara, përfshirë pasaporta, karta identiteti, leje qëndrimi dhe dëshmi aftësish, të shteteve shqiptare, bullgare dhe maqedonase. Po ashtu, në banesë u gjetën pajisje që shërbenin për falsifikimin e këtyre dokumenteve.
Operacioni “Organizatori” vijon me hetime të thelluara për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.