Edhe mbrëmjen e së martës emisioni Fiks Fare u fokusua në masakrën mjedisore që po ndodh në liqenin e Treganit në Elbasan.
Një fabrikë e përpunimit të ullirit mbetjet i derdh në liqen si rezultat ka shkaktuar ngordhjen masive të peshqve.
Tregani është pjesë e projektit të qeverisë për 100 fshatrat turistikë, për zhvillimin rural. Fiksi pa nga afër gjendjen e liqenit të Treganit i cili tashmë i ngjason më shumë një rezervuari uji të ndenjur. Në sipërfaqe të ujit shihen peshq të shumtë të ngordhur dhe mbetje të tjera plastike në të.
Dikur ky liqen ka qenë një atraksion turistik, por me këtë katastrofë dhe erë e rëndë që ndjehet afër tij edhe bizneset që dikur lulëzonin janë bosh. Një peshkatar sqaron se uji këtij liqeni është i pasur me shumë squfur gjë që i bënë mirë faunës së ujërave të ëmbla, si rrjedhojë liqeni ka pasur shumëllojshmëri peshqish. Ai tregon për Fiksin se edhe dy vite më parë në këtë liqen ka ndodhur e njëjta situatë.
“Dy vite më parë u kap në flagrancë një fabrikë e përpunimit të ullirit se derdhte mbetjet në liqen, u gjobit “tregon ai. Ndërkohë që ngordhja masive e peshqve shtrihet në një sipërfaqe të madhe të liqenit.
Menjëherë Fiksi iu drejtua Njësisë Administrative Tregan, ku administratorja Manjola Rexhepi u shpreh se njësia ishte vënë në dijeni nga banorët dhe ka lajmëruar policinë e shtetit, drejtorinë e mjedisit, bashkinë ku kanë inspektuar nga afër ndotjen në liqen.