Ambasada turke në bashkëpunim me Gjyshatën Bektashiane të Elbasanit organizojnë iftar

0

ELBASAN – Ambasada turke në Tiranë në bashkëpunim me Gjyshatën Bektashiane të Elbasanit kanë organizuar një program iftari me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve dhe personaliteteve nga fusha të ndryshme,

Në iftarin e organizuar në ambientet e Kalasë së Elbasanit ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, deputetët të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të tjerë të institucioneve shqiptare, përfaqësues të organizatave dhe përfaqësues të komuniteteve fetare.

Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, në fjalën e tij u shpreh se Muaji i Ramazanit është muaji i mëshirës dhe i begatisë. Ai shtoi se nga pikëpamja e marrëdhënieve Türkiye-Shqipëri ky iftar është një shenjë solidariteti.

Duke u shprehur se falënderojnë Zotin që janë në vend të sigurt, kanë paqe mes njëri-tjetrit dhe po agjërojnë në mënyrë të qetë, ai tha: “Në të njëjtën kohë lutemi për vëllezërit tanë që aktualisht janë nën bombardime dhe sulme në Rripin e Gazës, një gjenocid i hapur që po aplikohet nga shteti izraelit”.

“Ne si ambasadë jemi të fokusuar në zhvillimin e raporteve dhe marrëdhënieve Türkiye-Shqipëri akoma në një nivel më tutje, në koordinim të plotë dhe në bashkëpunim me të gjitha organizatat tona qeveritare apo joqeveritare, që të kontribuojmë në raportet Türkiye-Shqipëri, njëkohësisht dhe për integrimin(e Shqipërisë) në Bashkimin Evropian”, tha Atay.

Përfaqësuesi i Gjyshatës Bektashiane të Elbasanit, Haxhi Baba Ardit Selmani, tha se Muaji i Ramazanit është muaji i bekuar nga Zoti i lartësuar. “Mirësitë e tij(Muajit të Ramazanit) janë të pafundme. Është momenti të dëgjojmë njëri-tjetrin. Ky muaj së pari kërkon dhe do të shohë tek secili prej nesh sakrificat shpirtërore”, u shpreh Selmani.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, në fjalën e tij tha se muaji i shenjtë i Ramazanit është muaji ku të gjithë japin nga vetja për një sakrificë.

“Jam i bindur që është për të gjithë një muaj i mbarë, i qetë dhe i dashur dhe me plot gëzim”, u shpreh Llatja.