Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka bërë publike disa ngjarje të ndodhura së fundmi në juridiksionin e saj, për të cilat janë marrë masa procedurale në bashkëpunim me Prokurorinë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal ndaj një 15-vjeçari, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj xhaxhait të tij për motive të dobëta.
Ndërkohë, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë nisur procedim penal për shtetasin F. T., 22 vjeç, pasi gjatë një kontrolli fizik, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar Cannabis.
Gjithashtu, Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare kanë proceduar penalisht shtetasin A. H., 56 vjeç, i cili dyshohet se nuk ka paguar kontributet e sigurimeve shoqërore për një prej punonjësve të biznesit të tij.
Në fshatin Karinë, një 38-vjeçar me inicialet A. Th. ka kallëzuar se gjatë natës i është vjedhur automjeti. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vjedhjes.
Po ashtu, në vijim të njoftimit të datës 09.04.2024 për largimin nga banesa të shtetasit M. Gj., 29 vjeç, banues në fshatin Stërblevë, autoritetet bëjnë me dije se ai është gjetur në gjendje të mirë shëndetësore dhe ka deklaruar se ishte larguar me dëshirën e tij.
Të gjitha materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme ligjore.