ELBASAN- Agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe prokurorë të SPAK kanë zbarkuar sot në qytetin e Elbasanit ndërsa burime bëjnë me dije se kjo mund të lidhet me monitorimin e fushatës elektorale. Sipas informacioeve, mbërritja e tyre në këtë qytet në një numër kaq të madh nuk ishte vënë re më parë që nga koha e fillimit të fushatës elektorale.
Qarku i Elbasanit është nga më të “blinduarit ” ndër 12 qarqet e Shqipërisë në këtë proces zgjedhor. Grupi i monitorimit i kryesuar nga prokurori Olsi Dado janë duke ndjekur në terren në kohë reale të gjitha zhvillimet që lidhen me procesin elektoral dhe hetuesit janë duke punuat me pajisje me teknologji të avancuar që dokumentojnë çdo shkelje.
Të gjitha këto struktura janë vendosur në gatishmëri të plotë për të kontrolluar çdo cenim të procesit zgjedhor dhe çdo lëvizje të kandidatëve për deputetë. Aktiviteti i tyre elektoral dhe i mbështetësve të tyre është nën vëzhgim të rreptë në çdo moment. BKH dhe SPAK janë duke monitoruar gjithçka në këtë proces zgjedhor në Qarkun e Elbasanit duke filluar nga përdorimi i burimeve publike, abuzimi me administratën, qarkullimi i parave të pista, ndikimi i krimit të organizuar dhe çdo tentativë për blerje votash.