Elbasan, 1 Maj 2025 – Policia e Elbasanit ka zbardhur brenda pak orësh ngjarjen e ndodhur në mesnatë në lagjen “Partizani”, ku u raportua një shpërthim pranë një banese. Pas hetimeve intensive u arrit të finalizohet operacioni policor i koduar “Inskenimi”, me arrestimin e dy personave të përfshirë në këtë ngjarje të simuluar.
Në pranga ranë shtetasi A. P., 43 vjeç, banor i banesës ku ndodhi shpërthimi, dhe nipi i tij, E. T., 18 vjeç. Nga hetimet rezulton se dyshja kanë vendosur lëndë eksplozive pranë banesës me qëllim inskenimin e një akti kriminal, për të përfituar status azili në një nga vendet e Bashkimit Europian.
Si pasojë e shpërthimit u shkaktuan vetëm dëme materiale, ndërsa grupi hetimor dokumentoi ngjarjen në kohë rekord, në bashkëpunim me strukturat e inteligjencës informative.
Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme procedurale.