Protesta në Hotolisht: Banorët akuzojnë qeverinë për mashtrim dhe paralajmërojnë përshkallëzim të rezistencës

0
Screenshot

 

Banorët e fshatit Hotolisht, që ndodhet në njësinë administrative të Librazhdit, kanë dalë sërish sot në protestë për të kundërshtuar shembjen e banesave të tyre, pas vendimit të qeverisë për ndërtimin e një rruge të re që kalon përmes zonës së tyre. Ata shprehen të revoltuar ndaj mënyrës sesi është menaxhuar ky proces, duke e konsideruar atë të padrejtë dhe të dhunshëm, si dhe akuzojnë institucionet për mungesë transparence dhe mashtrime të vazhdueshme.

Një nga protestuesit, i cili foli në emër të komunitetit, shprehu zhgënjimin e thellë ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, njëkohësisht zv.kryeministres Belinda Balluku. Ai tha se Balluku ka premtuar disa herë se do të vizitonte zonën dhe do të bisedonte me banorët, por deri më tani nuk ka mbajtur asnjë prej fjalëve të saj.

“‘Do vij sot e do vij nesër’, na mashtron ajo. Ne nuk kemi çfarë të humbim më. Do bëjmë çdo bombë rrethanore që mundemi. Nuk kemi rrugë tjetër”, deklaroi ai, duke paralajmëruar se rezistenca e tyre do të vijojë dhe madje mund të përshkallëzohet. Protestuesi ngriti gjithashtu pyetje të forta retorike mbi logjikën e një vendimi që, sipas tij, shkatërron një komunitet të tërë vetëm për të ndërtuar një rrugë.

“Kërko gjithandej, më gjej një rast të tillë në botë, të prishet një fshat i tërë që të kalojë rruga. Çfarë është kjo? As Enver Hoxha nuk i ka bërë këto. Cili e bën këtë?! Të sjellin projektin këtu. Asgjë nuk na sjellin që ta shohim. Ku kalon, si bëhet. Fare”, theksoi ai me ton të ashpër.

Banorët dyshojnë se pas gjithë kësaj qëndron një strategji politike, që synon të shmangë përplasjet para zgjedhjeve dhe të veprojë me forcë më pas. Sipas tyre, pushteti do të përdorë mjetet represive për t’i dëbuar nga shtëpitë e tyre, menjëherë pasi të ketë siguruar votat në zgjedhjet e ardhshme.

“Presin të marrin zgjedhjet dhe të hedhin gazin lotsjellës që të na nxjerrin nga shtëpitë. Sa të mbarojnë zgjedhjet, do vijnë këta me shkopa gome dhe gaz lotsjellës”, paralajmëroi ai, duke akuzuar qeverinë për qasje të fshehtë dhe të dhunshme.

Banorët kanë kërkuar transparencë të plotë mbi projektin, dëmshpërblim të drejtë dhe zgjidhje alternative që nuk cenojnë banesat dhe jetesën e tyre. Ata deklarojnë se do të qëndrojnë në protestë deri në momentin që kërkesat e tyre të dëgjohen dhe të merren parasysh