Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së premtes se banorët e fshatit Vreshtan në Elbasan kanë paguar privatisht që t’u bëhen kanalet e ujërave të zeza, pavarësisht se rruga po shtrohej nga një firmë që fitoi tenderin.
Banorët paguan 210 mijë lekë të rinj për blerje tubash të ujërave të zeza dhe hapje të kanaleve.
Grupi i Fiksit udhëtoi në Njësinë Administrative Shushicë në Elbasan, pasi 5 familje iu drejtuan emisionit pasi në atë fshat po ndërtohet një rrugë, e financuar nga Bashkia e Elbasanit. Banorët u ankuan se kanë paguar para privatisht. Ata thanë se firma që ka shkuar për të bërë rrugën u ka thënë se nuk parashikohej në projekt ujërat e zeza dhe nëse duan t’i bëjnë, duhet që t’i blejnë vetë të gjitha.
“Kemi paguar 57 mijë lekë tubat që u shtruan poshtë rrugës. Kemi paguar 150 mijë lekë të reja punonjësit e firmës që të hapnin kanalet poshtë rrugës dhe të bënin sheshimet. Shkuam me shpejtësi që t’i blinim, pasi ku ti hedhim ujërat e zeza. Këtu në rrugë ka puseta, po ata na kërkuan lekë. I paguam se s’kishim çfarë të bënim” thanë banorët.
Sipas tyre, firma që ka shkuar për të bërë rrugën është “XHAST” dhe ata paguan punonjësit e kësaj firme. “Na i mori një djalë, që na thanë se ishte çuni i pronarit. E njohim si fytyrë, por s’ia dimë emrin” pohojnë banorët.
Në hyrje të rrugës ishte vendosur një tabelë me emërtim “asfaltim i gjendjes ekzistuese të rrugës së xhamisë, fshati Vreshtan, Njësia Shushicë”. Investitori është Bashkia Elbasan dhe sipërmarrësi i punimeve firma “XHAST”, teksa afati është 2 muaj kalendarike. Fondi është 10.822.767 lekë, ose rreth 110 mijë euro.
Fiksi pyeti punëtorët në atë rrugë, teksa ata pranuan se kanë marrë lekë nga banorët, teksa thonë se “i morën shefat”. Sipas tyre, projekti s’ka pasur kanale të ujërave të zeza dhe se ndaj u kanë marrë lekë.
Banorët dhe punëtorët debatojnë, teksa ata thanë se “këto gjëra i dinë shefat”. Sipas punëtorëve, janë bërë punime me eskavator dhe me mjete të rënda dhe ata (banorët) kanë rënë dakord që të bëjnë pagesën. Fiksi kërkon një përgjegjës, teksa dikush merr në telefon një përgjegjës, por ai nuk vjen.
Disa çaste më vonë, gazetarët telefonojmë pronarët e firmës “XHAST”, në numrin që kanë në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Numri ishte i pronarit Agim Kraja, i cili thotë se ai ka fituar një tender dhe po zbaton preventivin e miratuar nga Bashkia Elbasan.
Gazetarët i kërkojnë se përse punonjësit e firmës u morën lekë banorëve. Ai thotë se nuk e di dhe se po zbatojnë vetëm projektin. Këmbëngul për procedurat, teksa Fiksi i thotë se, punëtorët e tij konfirmuan se u janë marrë lekë banorëve. Ai thotë se nuk ka mundësi të ketë ndodhur diçka e tillë, teksa ne i bëjmë me dije se punëtorët dhe banorët thanë se “i mori lekët djali i pronarit”. Më tej thotë se jo dhe se do të pyesë.
“Nuk kemi ne me vendos tubacione të ujërave të zeza. Nuk ka projekti, nuk kemi për të vendosur fare! Nuk kemi punë ne me banorët, këtë fare sepse ne kemi rrugën. Po kanë bërë ca punime, kanë hedhur dhera dhe i kemi pastru. Nuk kemi lidhje ça bëjnë banorët” thotë ai, teksa gazetarët i bëjnë me dije se punëtorët pranuan se u kanë marrë para banorëve.
“S’e besoj, se s’kemi pse t’i detyrojmë ne banorët, se s’kemi lidhje ne me ta. Ne kemi vetëm me shtru me asfalt. Kemi 8 cm stabilizant kemi edhe asfaltin, kemi atë bordurën dhe kunetën dhe kaq. S’kanë punë me lekë fare sepse nuk është … nuk kam punë private unë me ata. Unë kam punë me shtetin. Me institucionin, të cilët e ka fituar kompania ime kanë shku punëtorët të punojnë dhe mbarojnë projektin dhe mbaron, kaq” thotë ai.
Fiksi i thotë se banorët pohuan se paratë i ka marrë djali i pronarit. “Po si djali i pronarit mo vëlla, unë jam pronari si i ka marrë djali?! Tani nuk e di se ça mund të bëjnë në kantier o vëlla tani. Nëse i kanë bërë një punë atyre, ku e di unë se ça i kanë bërë. Ta shohim dhe ça kanë” përfundoi pronari Agim Kraja.
Grupi i Fiks Fare u interesua në Bashkinë e Elbasanit, se përse nuk u bënë kanalet e ujërave të zeza dhe përse banorët janë detyruar të bëjnë pagesë te firma që fitoi tenderin. Në përgjigje, bashkia thotë se u bë investimi vetëm për rrugën dhe sistemimin e ujërave të bardha. Në preventiv nuk parashikohej sistemimi i ujërave të zeza.
Shqetësimet e banorëve, bashkia i cilëson të drejta, por thotë se do të bëhet një tjetër projekt për ujërat e zeza. Sipas saj, nga takimet me banorët, sidomos gjatë procesit të buxhetimit, rruga ka qenë kërkesa kryesore e tyre, investim i cili u bë para zgjedhjeve parlamentare. Fiksi e pyeti bashkinë nëse kishte dijeni se familjet investuan privatisht dhe nëse pushteti lokal do t’i kompensonte. Por, nuk mori asnjë përgjigje!Top Channel