Elbasan – Në një nga qendrat e votimit në Qarkun e Elbasanit, numëruesit kanë hasur në një fletë votimi që ka shkaktuar më shumë të qeshura se debat politik. Në vend të kryqit për ndonjë subjekt politik, një qytetar kishte vendosur të shprehë bindjen e tij më të thellë… futbollistike: “Forca Real Madrit”, shkruar me dorë të sigurt mbi fletën e votimit.
Ndërsa shumë qytetarë shfrytëzuan votën për të shprehur zhgënjimin me partitë politike përmes simboleve, fjalëve fyese apo fletëve të grisura, ky qytetar vendosi që të votonte për “partinë” që nuk e zhgënjen kurrë, ose të paktën jo aq sa politikanët: ekipin e tij të zemrës.
Komisionerët zgjedhorë u përballën me një dilemë të pazakontë. Njëri prej tyre, me një ton serioz dhe një buzëqeshje të fshehur, tha:
“Po ta kish shkrujt ‘Forca Partizani’, ndoshta do e llogaritnim si protestë kombëtare. Por kjo është… UEFA!”
Vota u shpall e pavlefshme sipas ligjit, por në rrjetet sociale, lajmi u përhap si zjarr dhe shumë tifozë e konsideruan si “votë zemre”.
Në fund, demokracia humbi një votë. Por Real Madridi fitoi një tifoz më shumë.