Vodhi çelësat dhe makinën gjatë natës në Elbasan, arrestohet 30-vjeçari me precedent penal

0

Elbasan, 17 maj 2025 – Policia e Elbasanit ka finalizuar operacionin e koduar “Shënkolli”, duke arrestuar një 30-vjeçar që akuzohet për vjedhje të një automjeti në lagjen Shënkoll.

Specialistët për Hetimin e Krimeve nisën menjëherë punën pas kallëzimit të një shtetasi, i cili denoncoi se gjatë natës i ishin vjedhur çelësat e makinës në një lokal dhe më pas automjeti i tij.

Falë veprimeve të shpejta hetimore dhe inteligjencës policore, u identifikua dhe u arrestua autori i dyshuar, M. K., 30 vjeç, banues në fshatin Shushicë. Ky shtetas rezulton me precedentë penalë të mëparshëm për vjedhje.

Sipas hetimeve, më 16 maj 2025, M. K. dyshohet se ka marrë çelësat e automjetit në pronësi të shtetasit A. Sh., dhe më pas është larguar me automjetin e vjedhur. Për të shmangur ndalimin nga Policia, ai braktisi automjetin, të cilin e drejtonte pa leje drejtimi.

Autori u lokalizua dhe u arrestua në kohë rekord nga efektivët e Policisë.

Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme procedurale.