Spitaleve në gjithë vendin u kërkohet të rrisin transparencën, ja çfarë duhet të bëjnë publike

0

TIRANË- Një rekomandim që ka shkuar në thuajse të gjithë spitalet publike në vend ka kërkuar që këta të fundit të rrisin transparencën duke publikuar informacion të rëndësishëm që lidhet me informimin e publikut.

Rekomandimi është bërë nga Komisioneri për të Drejtën e Informimin dhe u është drejtuar një sërë institucioneve duke nisur nga QSUT tek Spitali i Traumës, Shefqet Ndroqi, dy maternitetet ai Mbretëresha Geraldinë dhe Koço Glozheni si dhe spitalet rajonale në Durrës, Shkodër, Vlorë, Fier, Gjirokastër, Lezhë, Korçë.

Konkretisht rekomandimi përcakton se cila mund të jetë kategoria e informacionit që duhet të bëhet publik nga këta të fundit duke e vënë theksin tek nevoja që vjen për rritjen e transparencës nga këto institucione të cilat sipas një ligji riorganizohen në funksion të rritjes së autonomisë spitalore.

Për ta lehtësuar këtë proces Komisioneri ka saktësuar një seri pikash që duhet të jenë transparente.

“Konkretisht, bazuar në urdhrin e sipërcituar, të gjitha autoritetet publike përgatisin paraprakisht, në formate lehtësisht të kuptueshme dhe të aksesueshme, si dhe vënë në dispozicion të publikut në faqen e tyre zyrtare të internetit rubrikat/kategoritë e mëposhtme të informacionit:

-Rreth Autoritetit: një përshkrim të strukturës organizative, funksioneve dhe detyrave të autoritetit publik;

-Kuadri ligjor rregullator: tekstet e plota;

– E drejta për t’u informuar dhe për t’u ankuar: informacion për procedurat që duhen ndjekur për të bërë një kërkesë për informim, adresën postare dhe elektronike për depozitimin e kërkesave për informim, si dhe procedurat e ushtrimit të mjeteve ligjore administrative;

– Mekanizmat kontrollues dhe monitorues që veprojnë mbi autoritetin publik;

– Informacion mbi buxhetin dhe të dhënat financiare të autoritetit publik;

– Informacion për procedurat e prokurimit/procedurat konkuruese të koncesionit/ partneritetit publik/privat;

– Shërbimet që ofrohen nga autoriteti publik;

– Procedurat/mekanizmat për të dhënë vendime lidhur me procesin e hartimit të akteve ligjore/nënligjore, politikave publike apo në lidhje me ushtrimin e funksioneve të autoritetit publik;

– Sistemi i mbajtjes së dokumentacionit, llojet dhe format e dokumenteve;

– Regjistri i kërkesave dhe përgjigjeve;

– Ndihma shoqërore/subvencionet të dhëna nga autoriteti publik

– Informacione/dokumente që kërkohen më shpesh dhe ato që gjykohen të dobishme për publikun nga autoriteti publik./ Monitor