Dita e tretë e djegijes së mbetjeve në Elbasan, tymi kancerogjen vijon të përhapet në atmosferë

0

Vijon të jetë aktive vatra e zjarrit në fushën e mbetjeve pranë inceneratorit të Elbasanit. Shtëllunga të mëdha tymi janë duke u çliruar në ajër një kërcënim për jeten e qytetarëve Elbasanas.

Elbasani gjendet në emergjencë mjedisore. Prej 3 ditësh banorët nga të dyja anët e lumit Shkumbin po thithin ajër të ndotur. Ndonëse autoritetet vendore pohojnë se zjarri është vënë nën kontroll vatra është aktive në brendësi. Edhe sot mjetet e zjarrfikëses vijojnë punën në terren së bashku me mjetet e rënda të ushtrisë të cilët hedhin inerte për të izoluar vatrën.
Mbi sipërfaqe janë hedhur te pakten 10.000 m3 dhera të cilat bëjnë të mundur izolimin e flakëve, por nuk stopojnë dot shtëllungat e tymit. Ndërsa policia bëri me dije një ditë më parë se ka nisur hetimet së bashku me prokurorinë për të përcaktuar shkakun e zjarrit, sqaruar rrethanat dhe për të identifikuar përgjegjësit situata duket se do të marri kohë për t’u kthyer në normalitet.
Ende nuk ka një raport nga Inspektoriati i Mjedisit mbi nivelin e ndotjes në zonën përreth, as janë këshilluar qytetarët sesi duhet ta menaxhojnë situatën. Ditën e nesërme është lajmëruar një protestë qytetare e cila do të nisë nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe do të përmbyllet pranë Bashkisë Elbasan, dy nga institucionet ku qytetetarët presin reagim dhe masa konkrete./Infoweb Media