Zjarri në landfill, protestë para Prokurorisë dhe Bashkisë

0

Elbasan, 4 Korrik 2025 – Qyteti i Elbasanit po përballet me një emergjencë të rëndë mjedisore, ndërsa për të katërtën ditë rresht në Landfillin e qytetit vijon djegia në thellësi. Shtëllunga të dendura tymi vazhdojnë të dalin në sipërfaqe duke mbuluar zonat përreth dhe duke ndikuar rëndë në cilësinë e ajrit.

Përkundër përmasave shqetësuese të situatës, një protestë e thirrur për të denoncuar këtë katastrofë mjedisore u shoqërua me pjesëmarrje të ulët nga banorët e Elbasanit. Protesta nisi pranë godinës së Prokurorisë dhe përfundoi para Bashkisë, dy institucione nga të cilat qytetarët presin ndërhyrje dhe masa konkrete.

Në kërkesat e tyre, protestuesit apeluan për transparencë, ndërhyrje të menjëhershme dhe një plan serioz për menaxhimin e mbetjeve. Ata kërkuan që situata të mos përsëritet dhe Elbasani të mos vazhdojë të përballet me rreziqe të tilla për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Në mungesë të angazhimit lokal, u vu re prania e protestuesve nga Tirana. “Është detyrë qytetare të reagosh kur shkeljet dhe rreziqet nuk njohin kufij vendorë,” u shpreh një prej tyre, një qytetar i moshuar nga Tirana, duke argumentuar përse ishte i pranishëm në protestë.

Ndërkohë, edhe këtë të premte, ekipet e ndërhyrjes kanë vazhduar përpjekjet për shuarjen e zjarrit, duke hedhur dhe në mënyrë të pandërprerë mbi sipërfaqen e mbetjeve. Megjithatë, ekspertët dhe pamjet nga vendngjarja tregojnë se situata ka përmasa të tilla që kërkojnë zgjidhje strukturore dhe afatgjata.

Landfilli dhe inceneratori i Elbasanit shtrihen në një sipërfaqe prej 430 mijë metrash katrorë, ku mbi 20 mijë metra katrorë janë përdorur për depozitimin e qindra tonëve mbetje çdo ditë. Kjo e ka kthyer zonën në një vatër të rrezikshme ndotjeje që kërcënon seriozisht shëndetin publik dhe mjedisin.