Prej katër ditësh, fusha e mbetjeve në Elbasan vijon të jetë në zjarr, duke shkaktuar jo vetëm ndotje të madhe të ajrit, por edhe kaos në menaxhimin e mbetjeve urbane. Të shtatë bashkitë e qarkut Elbasan, së bashku me Rrogozhinën, nuk kanë ku të depozitojnë plehrat, pasi dera e landfillit është mbyllur për shkak të flakëve që ende nuk janë shuar plotësisht.
Situata në terren paraqitet alarmante. Rrugët dhe kontejnerët janë mbushur plot me mbetje, ndërsa temperaturat e larta po përkeqësojnë erën e rëndë dhe rrezikun për përhapje të sëmundjeve.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente, ndërsa hetimet për shkakun e zjarrit vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit.