Nga Fatmir Popja
Pas afro 150 orësh “luftë” të vërtetë me flakët që përfshinë fushën e mbetjeve urbane në Landfillin e Elbasanit, situata dramatike që tronditi qytetin dhe zonat përreth gjatë gjithë javës që lamë pas duket se më në fund ka hyrë në një fazë stabilizimi. E Diela solli një dritë shprese në horizont .Që nga ora 16:00 e ditës së sotme pas gjashtë ditësh me zjarr intensiv në sipërfaqe dhe në thellësi të “malit me mbetje”, nuk ka më flakë dhe asnjë shtëllungë tymi nuk ngrihet mbi zonën e ndotur.Kjo vjen pas një operacioni të jashtëzakonshëm logjistik dhe njerëzor që mobilizoi forca zjarrfikëse, strukturat e bashkisë, ushtrinë dhe institucionet qendrore. E gjithë sipërfaqja prej 20.000 m² e Landfillit të Elbasanit aktualisht është mbuluar me një shtresë të trashë dheu duke bllokuar futjen e oksigjenit dhe duke izoluar plotësisht djegien në brendësi.Sipas të dhënave zyrtare, janë hedhur mbi 35 mijë m³ dhera. Trashësia e dheut në pjesën e sipërme të fushës arrin nga 1.5 deri në 2 metra, ndërsa në anët e saj shkon nga 30 cm deri në 50 cm. Kjo masë e jashtëzakonshme izolimi besohet se ka sjellë shuarjen përfundimtare të zjarrit dhe ndalimin e ndotjes së ajrit që për disa ditë ka qenë në nivele alarmante.Situata kritike e krijuar në fillim të javës u përball me një reagim të paprecedentë pas ultimatumit të dhënë nga Kryeministri Edi Rama i cili kërkoi që kjo katastrofë mjedisore të merrte fund me çdo kusht brenda fundjavës. Puna e përqendruar dhe intensive, në një garë me kohën dhe rrezikun mjedisor, ka dhënë rezultat,për herë të parë pas gjashtë ditësh, Landfilli i Elbasanit është i qetë, pa tym, pa zjarr.Megjithatë, pasojat janë të mëdha. Masakra mjedisore që u shkaktua, konsiderohet nga ekspertët si një ndër më të rëndat në historinë e këtij qyteti. Efektet në mjedis dhe shëndetin publik do të duan kohë për t’u vlerësuar dhe adresuar. Tashmë, mbetet për t’u parë nëse ndërhyrja e kryer do të rezultojë si një zgjidhje e qëndrueshme, apo vetëm një masë e përkohshme për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.
Elbasani ka kaluar një javë të tmerrshme dhe ndërsa tymi është zhdukur nga qielli mbi qytetin e Elbasanit , pyetja që mbetet pezull është:a do të mësojmë më në fund nga kjo tragjedi?