“Polisi në Festë”,zemra e malësisë së Librazhdit që rreh me krenari dhe shpresë për zhvillim e turizmit malor

0

 

Nga Fatmir Popja

Të Dielën e parë të korrikut 2025, një atmosferë magjike e mbërtheu Malësinë e Polisit ku qindra banorë vendas, emigrantë të rikthyer, miq e turistë nga mbarë vendi dhe Europa u bashkuan në një nga festat më të dashura dhe më të shumëpritura të vitit “Festa e Polisit”.
Kjo festë tradicionale e kthyer tashmë në simbol të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të kësaj zone të famshme të Principatës së Arianitëve të kohës së Skënderbeut u zhvillua në natyrë në lëndinën piktoreske të quajtur “Vali i Madh” e rrethuar nga masive të dendura pyjore e male madhështore.Edhe pse fundjava shënoi temperatura të larta, asgjë nuk e ndaloi pjesëmarrjen masive dhe emocionet e forta që solli ky aktivitet. Polisarë e librazhdas, të rinj e të moshuar, të larguar ndër vite por gjithmonë të lidhur me vendlindjen u mblodhën për të festuar, kënduar, kërcyer, vallëzuar dhe ndarë kujtime të paharrueshme. Atmosfera ishte e ndezur nga grupet folklorike dhe ritmet popullore që jehonin mes maleve duke rikthyer emocionin e së kaluarës dhe krenarinë për rrënjët.
“Festa e Polisit” është shumë më tepër se një ngjarje festive,ajo është një thirrje e fortë për ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore, kulturore, kulinarisë, zakoneve, zejeve dhe mikpritjes tradicionale të kësaj krahine që ka qenë e banuar që nga lashtësia.
Në këtë festë mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha, i cili përshëndeti pjesëmarrësit dhe shprehu mirënjohjen për banorët e Njësisë Administrative Polis për organizimin e jashtëzakonshëm. Ai theksoi rëndësinë e kësaj feste për forcimin e lidhjeve të komunitetit dhe promovimin e turizmit malor si një motor zhvillimi ekonomik për zonën.“Fakti që mjaft nga emigrantët e kësaj zone po shprehin dëshirën që të rikthehen dhe të investojnë në fshatrat ku u lindën është mesazhi më i bukur i mundshëm. Ne i inkurajojmë të gjithë dhe do të jemi krah tyre për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme për Polisin.Kryebashkiaku i Librazhdit foli gjithashtu edhe për përmirësimin e infrastrukturës, furnizimin me ujë të pijshëm dhe vaditës dhe mundësitë që ofron ligji i ri “Paketa e Maleve” i cili përmes projektit “Investo në tokën tënde” synon të tërheqë investime në zonat malore të Shqipërisë.Deputeti i i zgjedhur i kësaj zone, Olsi Komici, u bëri thirrje banorëve të Polisit që të përkushtohen në zhvillimin e turizmit duke e cilësuar këtë industri si një shans real për zhvillim ekonomik dhe ruajtje të trashëgimisë duke përmendur mikpritjen tradicionale të polisarëve si një pasuri të rrallë.
Nga ana e saj ,drejtuesja e Njësisë Administrative Polis , znj.Edvina Koçi duke falënderuar të pranishmit në këtë festë të veçantë tha se “Festa e Polisit” shënon bashkimin e këtij komuniteti dhe përbën nderimin e trashëgimisë kulturore.Teksa jemi mbledhur qindra e qindra vetë ,vendas, emigrantë të rikthyer, miq nga Shqipëria e gjetkë ,ne kremtojmë jo vetëm natyrën mahnitëse të Malësisë së Polisit, por edhe shpirtin tonë mikpritës, energjinë e rinisë dhe krenarinë që buron nga rrënjët e lashta të Principatës së Arianitëve.Festa e Polisit është më shumë se një traditë,është një apel për të ruajtur vlerat tona, për të ndërtuar së bashku një të ardhme të begatë nëpërmjet turizmit malor, bujqësisë ,blektorisë dhe iniciativave që fuqizojnë komunitetin. Kjo traditë, që çdo vit sjell ne lëndinën e Valit të Madh plot këngë, valle dhe emocione, është dëshmi e angazhimit tonë për të promovuar këtë rajon unik .Faleminderit që jeni pjesë e këtij momenti të veçantë. Ju uroj një festë të mbushur me gëzim, kujtime të gëzueshme dhe shpresë për vitet që vijnë. Zoti e bekoftë Polisin dhe ne me të gjithë .Festa e Polisit është një dritare unike për të promovuar mrekullitë natyrore të kësaj zone,gjurmët e rrugës Egnatia, urat e lashta si Ura e Kamares, Ura e Gurit dhe ajo e Haxhi Beqarit, gurrat e freskëta si Gurra e Kranshës e Gurë Shpatës, lumi i Gostimës me troftën e egër, stanet alpine me delet autoktone, masivet e ahut e dushkut, dhe mbi të gjitha ,Ylli i Alpeve, një bimë endemike unike në botë që rritet në malin e Polisit.Zona përfaqëson 58% të florës dhe faunës shqiptare dhe 16% të asaj europiane, me shumë specie të rralla në shkallë globale. Kjo pasuri e jashtëzakonshme natyrore, e kombinuar me gatimet tradicionale bio si djathi, gjiza, qumështi, gjalpi, mishi dhe produktet blegtorale të zonës, e bëjnë Polisin një destinacion gjithnjë e më të preferuar nga turistët vendas dhe të huaj.Festa e Polisit nuk është vetëm një kujtesë për atë çfarë jemi, por një ftesë për të ndërtuar të ardhmen mbi themelet e traditës dhe natyrës. Ajo na kujton se dashuria për vendlindjen nuk zbehet kurrë, dhe se kthimi, investimi dhe kujdesi për rrënjët janë shprehja më e lartë e patriotizmit të vërtetë.
Me shpresën se vitin tjetër kjo festë do të mbledhë edhe më shumë njerëz dhe do të promovojë edhe më fort potencialin turistik të zonës, Festa e Polisit 2025 u mbyll me një ftesë të hapur për të gjithë: Ejani në Polis ,ku historia, natyra dhe mikpritja bëhen një!