Peqin, 4 gusht 2025 – Një 72-vjeçar është proceduar penalisht nga Policia e Peqinit, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr për të djegur mbeturina në një zonë rurale, duke shkaktuar djegien e një sipërfaqeje toke dhe disa pemëve ulliri.
Ngjarja ndodhi në fshatin Fatishë, ku si pasojë e përhapjes së flakëve, zjarri doli jashtë kontrollit. Specialistët për Hetimin e Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Peqin referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal ndaj shtetasit P. H., 72 vjeç, banues në të njëjtin fshat.
Sipas hetimeve paraprake, i moshuari kishte ndezur zjarr për pastrim të territorit, por nuk kishte marrë masa për parandalimin e përhapjes së tij, çka solli dëme në sipërfaqe me bimësi dhe pemëtari.
Materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia e Elbasanit apelon qytetarët të mos përdorin zjarrin për pastrime në ambiente të hapura, pasi kjo përbën rrezik për mjedisin, jetën dhe pronën. Çdo shkelje e tillë do të trajtohet me forcën e ligjit. Po ashtu, qytetarët ftohen të raportojnë çdo rast të zjarrvënieve apo paligjshmërive në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm dhe anonim.






