Situata kritike në Gramsh, zjarri afrohet pranë banesave në fshatin Ërmenj

0

Situata në Gramsh mbetet kritike. Sipas burimeve zyrtare, flakët nuk kanë kursyer as Liqenin e Zambakëve, një nga atraksionet më të vizituara turistike të zonës. Aktualisht po punohet me vështirësi për shuarjen e zjarreve, pasi perimetri i tyre po zgjerohet dhe ka përfshirë edhe fshatin Ermenj.

Në njësinë administrative Skënderbegas janë mbi 10 vatra aktive. Forcat e Armatosura dhe zjarrfikësit e qarkut të Elbasanit po punojnë në terren nga toka, ndërsa ndërhyrjet nga ajri vijojnë. Era e fortë po favorizon përhapjen e shpejtë të flakëve drejt zonave të tjera.

Gjatë ditës së sotme është evakuuar edhe fshati Nartë, ndërsa në rrezik mbeten Mukaj dhe Sojnik, në njësinë administrative Kukur. Sipas burimeve, situata mund të përkeqësohet më tej në mbrëmje, nëse do të fryjnë erëra të forta.

Numri i bagëtive të ngordhura ende nuk është bërë i ditur. Ato janë gjetur në stalla dhe në pyll. Bashkia e Gramshit ka ngritur dy ekipe në terren për groposjen e tyre, me qëllim parandalimin e përhapjes së një epidemie.