Në kuadër të “Javës Kineze” në Shqipëri, në Teatrin “Skampa” të Elbasanit u organizua një koncert artistik me vepra të shquara vokale dhe instrumentale kineze, aktivitet i mundësuar nga Ambasada kineze në Shqipëri.Artistë kinezë të ardhur nga Kina dhe vende të ndryshme të Europës interpretuan para publikut elbasanas vepra të pasura të muzikës tradicionale dhe klasike kineze, duke sjellë një pjesë të kulturës, historisë dhe shpirtit të vendit të tyre.E pranishme në koncert ishte edhe ambasadorja e Republikës së Kinës në Shqipëri, e cila në fjalën e saj përshëndetëse theksoi rëndësinë e këtyre eventeve kulturore për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“E dimë që muzika është një gjuhë universale, pa kufij. Përmes saj mund të ngushtojmë distancat mes popujve dhe të thellojmë njohjen mes qytetërimeve. Kina dhe Shqipëria gëzojnë një miqësi tradicionale të thellë dhe përmes aktiviteteve si ky koncert, dëshirojmë të sjellim më pranë kulturat tona. Një pjesë shumë e rëndësishme e marrëdhënieve dypalëshe është bashkëpunimi kulturor“.
Për artistët kinezë, koncerti përbënte një nder dhe emocion të veçantë, duke performuar për herë të parë për publikun shqiptar. Një nga artistet pjesëmarrëse ndau përshtypjet e saj:
“Është hera ime e parë në Shqipëri dhe një nder i madh që marr pjesë në këtë aktivitet të organizuar nga ambasada kineze. Studioj në Shangai dhe aktualisht jetoj në Francë ku jap mësim në konservator. Është kënaqësi për mua të prezantoj artin dhe kulturën kineze para publikut shqiptar, i cili, edhe pse nuk e kuptonte gjuhën kineze, ishte shumë i përqendruar dhe i përkushtuar gjatë gjithë koncertit.
Në skenë, përkrah artistëve kinezë, performuan edhe artistë shqiptarë, të cilët interpretuan pjesë lirike dhe bashkëpunuan në këtë dialog kulturor përmes muzikës. Ata e konsideruan këtë koncert si një mundësi të vyer për shkëmbim kulturor dhe ndërtim të urave të reja miqësie.
Koncerti i mbajtur në Elbasan u mirëprit ngrohtësisht nga publiku, duke treguar interes dhe vlerësim të lartë për artin dhe kulturën kineze.
Infoweb Media





