Njësia administrative e Treganit, ndonëse një nga zonat që kontribuon ndjeshëm me të ardhura nga taksat në buxhetin e Bashkisë Elbasan, përballet me mungesë të dukshme investimesh. Tregu i Treganit, një prej hapësirave më të përdorura nga banorët dhe vizitorët, ofron një pamje të mjerueshme dhe të ndotur, që bie ndesh me statusin e zonës si destinacion turistik shëndetësor. “Bashkia e Elbasanit ka gati projektin për ndërtimin e një tregu të ri në Tregan, por jemi ende në pritje të financimit,” – deklaron administrator i njësisë administrative Tregan.
Një tjetër problem shqetësues është mungesa e sistemimit të ujërave të bardha dhe të zeza, e cila jo vetëm dëmton mjedisin, por cenon dhe cilësinë e shërbimeve për mijëra vizitorë që zgjedhin Llixhat si destinacion për trajtim shëndetësor.
Kjo zonë njihet për llixhat termale me vlera kurative, të cilat frekuentohen nga pacientë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe më gjerë.
Infoweb Media





