VIDEO/Rrëshqitje masive toke në Spathar, rrezik për banesat dhe banorët

0

Një rrëshqitje masive toke është regjistruar së fundmi në fshatin Spathar, Bashkia Librazhd. Për pasojë janë shkaktuar dëme në një bllok banimi, infrastrukturën rrugore dhe të mbjellat bujqësore.
Më problematike paraqitet situata në Lagjen Hoxha, si edhe në zonën ku më herët ndodhej depoja e furnizimit me ujë të qytetit të Librazhdit, çka ka shtuar ndjeshëm rrezikun për banorët dhe infrastrukturën përreth.

Përgjatë një ore, fenomeni është ripërsëritur disa herë, duke zhvendosur masa të mëdha toke. Si pasojë, dhjetëra banesa kanë pësuar dëmtime të lehta, ndërsa shtatë shtëpi janë dëmtuar rëndë. Për familjet më të prekura është dhënë urdhri i evakuimit, por banorët refuzojnë të largohen, pasi thonë se kanë bagëti dhe kursimet e jetës.

 

Autoritetet vendore, pasi kanë vlerësuar situatën në terren, u kanë kërkuar banorëve të prekur të braktisin shtëpitë dhe të sistemohen në banesa me qira, ku për një vit qiraja do të kompensohet nga Bashkia. Edhe pse kanë hasur në kundërshtimin e banorëve, kryeplaku i fshatit thotë se më e rëndësishmja është të garantohet siguria e tyre.

Fshati Spathar është përballur edhe më parë me fenomene të ngjashme, duke u konsideruar një zonë me problematika të theksuara gjeologjike. Aktualisht, situata paraqitet tejet e vështirë, pasi rreziku është afruar shumë pranë banesave.