Skema e drogës në IEVP Elbasan: roli i punonjësit të burgut dhe bashkëpunëtorëve

0

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka bërë publike rrethana të reja lidhur me procedimin penal nr. 669, viti 2025, në kuadër të të cilit një ditë më parë u arrestuan tre persona.

Sipas hetimeve, shtetasi Ndriçim Kroi, punonjës i Policisë së Burgjeve dhe i angazhuar në regjimin e brendshëm të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale Elbasan, dyshohet se ka qenë i përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, konkretisht në futjen e lëndëve narkotike në ambientet e institucionit.

Nga aktet hetimore rezulton se Kroi, jashtë orarit të punës, ushtronte aktivitet tregtar ambulant në qytetin e Elbasanit, duke shitur telefona të përdorur dhe sende të tjera, aktivitet i cili dyshohet se përdorej për të marrë porosi nga familjarë të të paraburgosurve, të cilat më pas futeshin në IEVP Elbasan. Po ashtu, nga verifikimet e kryera është administruar e dhëna se ai siguronte dhe futte lëndë narkotike në regjimin e brendshëm, e cila shpërndahej më pas nga të paraburgosurit.

Sipas Prokurorisë, kjo veprimtari dyshohet se kryhej kryesisht gjatë turnit të tretë dhe në ditët e fundjavës, kur në institucion kishte mungesë të personelit administrativ.

Nga hetimet e thelluara, përfshirë përgjime telefonike dhe ambientale, vëzhgime, dokumentim filmik, veprime simuluese dhe akte ekspertimi, rezulton se në këtë veprimtari ishin të përfshira edhe shtetaset Esmeralda Komici dhe Geralda Samolli. Prokuroria ka administruar prova se Komici e paguante punonjësin e Policisë së Burgjeve për futjen e lëndës narkotike, ndërsa Samolli dyshohet se ishte e përfshirë në shpërndarjen e saj brenda institucionit.

Ndaj tre shtetasve rëndon akuza për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burg”, parashikuar nga nenet 283/2 dhe 324/a/2 të Kodit Penal. Hetimet vijojnë.