Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune, rreth 9 kilometra larg qytetit të Elbasanit, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur tre persona.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, njëri prej të lënduarve ka pësuar plagë të shumta dhe fraktura, ndërsa gjendja e tij shëndetësore raportohet e rëndë. Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore të specializuar.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:55, në aksin rrugor Rrethrrotullimi i Bradasheshit – Balldren, pranë mbikalimit të Paraburgimit. Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë një tentativë parakalimi, e cila ka sjellë përplasjen me një automjet tjetër dhe më pas humbjen e kontrollit të drejtimit, duke bërë që mjeti të dalë nga rruga.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.





