Fshatrat e Njësisë Administrative Shushicë në Elbasan në errësirë, rreth 10 mijë banorë pa energji elektrike

0

Prej natës së mbrëmshme, fshatrat e Njësisë Administrative Shushicë janë pa energji elektrike, duke lënë rreth 10 mijë banorë në errësirë të plotë dhe duke krijuar vështirësi serioze për jetesën e përditshme dhe aktivitetin ekonomik.

Mungesa e energjisë ka prekur jo vetëm familjet, por edhe bizneset, të cilat raportojnë probleme me furnizimin, ruajtjen e produkteve dhe funksionimin normal të shërbimeve.

Sipas informacioneve paraprake, shkaqet e ndërprerjes ende nuk dihen, ndërsa grupet e OSHEE-së ndodhen në terren për identifikimin e defektit dhe rikthimin e energjisë elektrike.

Ky është rasti i disatë i ndërprerjeve të gjata të energjisë në zonë, duke shtuar shqetësimin e banorëve, të cilët shprehen se po përballen me vështirësi të mëdha, veçanërisht familjet me fëmijë, të moshuar dhe persona me nevoja të veçanta.

Banorët kërkojnë zgjidhje të shpejtë dhe masa afatgjata, pasi situata po kthehet në një problem të përsëritur që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe sigurinë e komunitetit.