Qeveria miraton indeksimin e pagave, ja kategoritë që përfitojnë

0

TIRANË- Këshilli i Ministrave ka miratuar një paketë vendimesh që parashikon indeksimin me 2.5% të pagave dhe elementeve përbërëse të tyre për disa kategori të administratës publike për vitin 2026. Vendimet përfshijnë rritjen e pagës së Presidentit të Republikës, si dhe rritjen e pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë.

Gjithashtu parashikohet përditësimi i strukturave të pagave për Gardën e Republikës, Policinë e Burgjeve, koordinatorët kundër korrupsionit, punonjësit mbështetës dhe specialitetet e ndryshme në administratën publike, si edhe për personelin e sistemit shëndetësor.

Krahas indeksimit, në disa sektorë janë parashikuar edhe rregullime specifike të shtesave dhe kompensimeve, në funksion të natyrës së punës dhe përgjegjësive të funksioneve përkatëse. Efektet financiare të këtyre vendimeve do të përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2026, ndërsa vendimet hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, me efekte financiare që nga 1 janari 2026.

Vendimi:

Këshilli i Ministrave ka miratuar një paketë vendimesh për indeksimin me 2.5% të pagave dhe elementeve përbërëse të tyre në disa kategori të administratës publike për vitin 2026.

(Vendimet përfshijnë rritjen e pagës së Presidentit të Republikës dhe të pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, si edhe përditësimin e strukturave të pagave për Gardën e Republikës, Policinë e Burgjeve, koordinatorët kundër korrupsionit, punonjësit mbështetës dhe specialitetet e ndryshme në administratë, si dhe personelin e sistemit shëndetësor.)

Krahas indeksimit, në disa sektorë parashikohen edhe rregullime specifike të shtesave dhe kompensimeve.

Efektet financiare përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2026 dhe vendimet hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, me efekte financiare nga 1 janari 2026.

Projektligj për dhënie amnistie

Qëllimi i këtij ligji është të përjashtojë nga vuajtja e dënimit dhe ndjekja penale, tërësisht ose pjesërisht, të gjithë personat që plotësojnë kriteret, sipas dispozitave të këtij ligji.

Dhënia e amnistisë, sipas këtij ligji, udhëhiqet nga:
-parimi i humanizmit;
-arritja e qëllimit të dënimit;
-rrezikshmëria e ulët e personave që amnistohen;
-edukimi dhe rehabilitimi;
-mbrojtja e interesit publik;
-dhënia e mundësisë së integrimit më të lehtë dhe më të shpejtë të të dënuarve të mitur dhe gra;
-rritja e eficiencës në sistemin e drejtësisë;
-mbrojtja e interesit më të lartë të fëmijës.