Elbasan – Banorët e gjashtë fshatrave të Njësia Administrative Tregan zhvilluan këtë të premte një protestë për të kundërshtuar ndërhyrjet në burimin ujor të fshatit Muçan, nga i cili furnizohen me ujë të pijshëm.
Sipas banorëve, në këtë burim po kryhen punime për shtrirjen e tubacioneve nga persona që, sipas tyre, kanë biznese dhe ndikim në zonë. Ata shprehen se këto ndërhyrje rrezikojnë furnizimin me ujë të pijshëm për familjet, veçanërisht gjatë stinës së verës kur konsumi rritet.
Protestuesit theksuan se uji është jetik për komunitetin dhe se, për sa kohë paguajnë rregullisht faturat e ujit, askush nuk ka të drejtë t’u cenojë furnizimin.
Për situatën e krijuar, banorët kanë bërë përgjegjës kryeplakun e fshatit dhe drejtuesit e Njësia Administrative Tregan, duke kërkuar ndërhyrje për të ndaluar punimet. Ata u kanë dorëzuar autoriteteve lokale edhe një peticion.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit vendorë deklaruan se janë në mbështetje të banorëve dhe se ndërhyrjet në burimin e ujit i konsiderojnë të paligjshme. Kryetari i njësisë administrative, Mërkur Kaçi, dhe kryetari i fshatit Muçan, Beqir Papri, u shprehën se situata do të trajtohet për të mbrojtur interesat e komunitetit.
Aktualisht, punimet për marrjen e ujit në fshatin Muçan janë pezulluar, ndërsa banorët deklarojnë se do të vijojnë të mbrojnë burimin e ujit nëse ndërhyrjet rifillojnë.






